Kalo te lënda

Ngecin ndryshimet kushtetuese

Ishte paralajmëruar se në shtator do finalizohen ndryshimet kushtetuese, pjesa për zgjedhjen e presidentit, por Komisioni për ndryshime Kushtetuese ende nuk është mbledhur. LDK-ja vazhdon të kërkojë zbatimin e marrëveshjes nga treshja politike për Presidentin, me qëllim që procesi i reformës kushtetuese të përfundojë.

Vjosa Osmani, e cila ka qenë anëtare e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, ka thënë se LDK-ja nuk është bërë pengesë e procesit, por vetëm kërkon zbatim të marrëveshjes politike për zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga.
“Tani nuk priten lëvizje nga LDK-ja, sepse LDK i ka bërë të gjitha lëvizjet që kërkohen nga ajo sipas marrëveshjes. Tani lëvizje kërkohen nga kryeministri Thaçi dhe natyrisht nga presidentja që duhet të lëshojë rrugën për president të zgjedhur nga vota e popullit”, tha Osmani pwr RTK.
Ndërsa, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje theksoi se Vetëvendosja që nga fillimi e ka konsideruar marrëveshjen për zgjedhjen e presidentes, të pa bazë ligjore dhe kushtetuese.
“Presidentja është zgjedh ashtu siç është zgjedh dhe tash nuk mund të bëhen pazare politike të reja mbi shkarkimin e saj. Ne që në fillim e kemi ditur se ajo është një marrëveshje pa ndonjë bazë ligjore, pa bazë kushtetuese, që t’i shkurtohet mandati dhe të vendoset një presidente me pazare politike”, tha Konjufca.
Ndërkohë, nga AAK-ja thonë se ata nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes, por ndryshimet kushtetuese duhet bërë për shkak të proceseve në Kosovë, e jo për hir të marrëveshjes ndërmjet tre liderëve politik.
Ndryshe marrëveshja ndërmjet tre liderëve politik parashihte që pas reformave kushtetuese, vendi të shkonte në zgjedhje presidenciale diku në fund të këtij viti.

Lini një koment