Serbia kërkon rol ekzekutiv të EULEX-it
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Dejan Paviqeviq, ka deklaruar se pret negociata të gjata dhe të vështira në kuadër të grupeve punuese për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit.
Kërkesa kryesore e Beogradit është që Dogana e EULEX-it dhe jo e Prishtinës të ketë funksion ekzekutiv.
“Ne do të këmbëngulim që EULEX-i të marrë rolin ekzekutiv në të gjitha linjat administrative në Kosovë.
Ne do të bëjmë përpjekje të mos bëjmë dallime të tilla ndërmjet veriut dhe jugut. Megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme, është se në veri të Kosovës, sidomos në kalimet Jarinë dhe Bërnjak, kemi regjim të veçantë, i cili do të ngarkojë më pak banorët serbë në veri.
Ne kërkojmë rol ekzekutiv të EULEX-it. Të gjitha procedurat doganore që do të kryhen, për të cilat duhet të bisedohet dhe të cilat duhet të jenë nën regjim të veçantë, do të kryhen nga EULEX-i. Për këtë do të ketë negociata mjaft të gjata dhe të vështira”, theksoi ndër të tjera Paviqeviq.