Kalo te lënda

LDK i bën presion

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përsëritur edhe të shtunën kërkesën për dorëheqjen e Presidentes.

Deputetja Vjosa Osmani tha se nëse Jahjaga vazhdon ta injorojë marrëveshjen, do të mbetet Presidente e PDK-së. Zyrtarët e kësaj partie paralajmëruan se presioni për largimin e Shefes së Shtetit do të rritet, por kjo parti po e konsideron mundësinë që zgjedhjet të mbahen edhe me ligjet e vjetra.

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon t’i bëjë presion Atifete Jahjagës për t’u larguar nga posti i Presidentes, në mënyrë që t’u hapet rruga reformave zgjedhore dhe kushtetuese. Madje, zyrtarë të partisë më të madhe opozitare këtë po e bëjnë edhe gjatë vizitave në terren, shkruan “Express”.

Kështu, të shtunën, nga Gjilani, deputetët Lutfi Haziri e Vjosa Osmani kanë thënë se presioni opozitar do të rritet për ta detyruar Jahjagën që të largohet nga posti më i lartë shtetëror. Në të kundërtën, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se Jahjaga mund të jetë presidente e PDK-së, por jo e krejt Kosovës.

“Nëse nuk e respekton marrëveshjen, Jahjaga ajo çdo ditë për LDK-në do të jetë Presidente e PDK-së, sepse ajo nuk e përfaqëson unitetin politik dhe qytetar”, ka thënë Osmani të shtunën në Gjilan.

Presidentja Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit, në bazë të një marrëveshjeje politike mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, që parasheh mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale këtë vit, ndërsa ato parlamentare vitin e ardhshëm.

Situata është komplikuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Presidentes nuk mund t’i shkurtohet mandati me ndryshime kushtetuese.

Lini një koment