FOL: Qeveria gënjeu për rritje ekonomike
Prishtinë, 9 shtator – Deklarimi i qeverisë për periudhën 2011-2014 se do të ketë një rritje mesatare ekonomike nga 7 deri në 8%, nuk është e vërtetë sipas raportit Matësi i së Vërtetës i Lëvizjes FOL. Sipas këtij raporti, këtë e demanton raporti i Bankës Qendrore të Kosovës. Zyrtarët e këtij institucioni në prezantimin e Raportit Vjetor 2011 dhe të dhënave për periudhën e parë të vitin 2012 kanë thënë se “rritja ekonomike nuk parashihet të kalojë shifrën mbi 3.8%”, transmeton KTV. FOL konsideron se deklarimi i Qeverisë së Kosovës se përmirësimi i bilancit tregtar (rritja e eksportit dhe zëvendësimi i importit) është esencial për zbutjen e shpërpjesëtimeve makro-ekonomike e që deri tash nuk është arritur. Sipas raportit, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka premtuar uljen e bilancit negativ tregtar në mënyrë që eksportet të përmirësohet dhe importi të ulet. Pavarësisht këtij premtimi, statistikat e gjashtë mujorit të parë të këtij viti, tregojnë se deficiti tregtar ka shënuar vlerën prej rreth 1 miliard euro si pasojë e rritjes më të madhe të importeve në krahasim me eksportet. Ndërkohë si deklaratë kontradiktore është vlerësuar edhe një deklaratë e ministrit Bedri Hamza dhe një e ministrit të shëndetësisë, Ferid Agani. Ndërkohë deklarata e kreut të Prishtinës Isa Mustafës se Segmenti i dytë i rrugës B është planifikuar të ndërtohet brenda një viti është vlerësuar po ashtu e pa vërtetë.