Kalo te lënda

Bleona e “kall” Prishtinën

 

Rreth dy mijë veta e kanë pritur më shumë se dy orë këngëtaren shqiptare Bleona Qereti. Nën shpërthimin e fishekzjarrëve, e shumë zhurmë ajo ka dalë në skenën e madhe që është vënë në mes të sheshit “Nënë Tereza”, fiks në orën 22:25. Koncerti i saj, i ndarë në tri pjesë – në atë anglisht, këngët e saj ndër vite në shqip dhe një pjesë me muzikë popullore – ka zgjatur deri pas mesnate. “Mirë se keni ardhur të gjithë”, ka thënë përshëndetja e parë që u ka dërguar fansave të saj këngëtarja shqiptare. E pasi që e ka kënduar një këngë në anglisht, ajo i ka pyetur dhe u ka thënë diçka atyre.

“A ju pëlqen fustani im? Kujt i pëlqen fustani im, këngët e mia dhe show im, le të ngrit duart lartë”, ka thënë Qerreti, që ka marrë jo pak ovacione.

Në një skenë të ngritur në lartësi 2 metra, me një ekran të madh në prapaskenë ku shfaqeshin imazhe e ngjyra të ndryshme, Bleona Qerreti nuk ka qenë e vetme. Një bandë e ka shoqëruar atë në instrumente, e katër balerinë e kanë përcjellë me lëvizje tingujt muzikor të saj, shkruan koha.

Qereti i ka porositur fansat e saj që t’i bëjnë “like” në Facebook dhe t’i shkruajnë mesazhe aty dhe në Twitter, teksa u ka garantuar se është vetë ajo që i lexon dhe u kthen përgjigje.

Mirsad Havolli (22) nga Podujeva, ka thënë se do t’i shkruaj “simpatisë” së saj në rrjetin social.

“Do t’i tregoj se më pëlqen shumë si duket”, ka thënë Havolli.

Me koncertin e Qerretit – i cili është mbajtur në kuadër të turit për promovimin e albumit të saj të ri – po kënaqej edhe Blenda Dugolli (19).

“Kemi dalë me shoqëri dhe po kalojmë shumë mirë, Bleona më ka pëlqyer qysh e vogël kur kam qenë”, ka thënë Dugolli.

Koncerti që ishte paralajmëruar të nis në orën 20:00, ka nisur me një orë vonesë, e të parët janë paraqitur aty grupi “Fisnikët”. Ata i kanë lënë vend grupit “Etnon” dhe DJ Freaky nga SHBA.

Lini një koment