Fillim i mbarë për Shqipërinë
Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll ka triumfuar ndaj Qipros në stadiumin kombëtar Qemal Stafa me rezultat 3-1, sfidë e vlefshme kjo për kualifikimet për Kampionatin Botëror, Brazili 2014.
Ishte kjo një sfidë e cila është pritur me padurim nga tifozët shqiptar të grumbulluar në stadium. Kishte të pranishëm shumë kosovar të cilët kanë udhëtuar për këtë takim dhe sigurisht se nuk janë ndarë të zhgënjyer.
Pas një loje mjaft mirë të treguar me dominim, Armando Sandiku (36’), kaloi në epërsi Shqipërinë. Sidoqoftë, rezultati u barazua nga Laban në minutën e fundit të pjesës së parë për 1-1.
Përzgjedhësi i Shqipërisë në pjesën e dytë bëri disa ndryshime. Gianni de Biassi e dëshmoi veten se është strateg i madh duke inkuadruar dy sulmues nga pankinë, ishin këta Edgar Cani dhe Erjon Bogdani, të cilët që të dy realizuan.
Ishte Edgar Cani ai që ngriti në këmb tifozët në stadium me golin e tij për 2-1 (84’), para se festën ta garantonte Erjon Bogdani (87’) për 3-1 dhe rezultatin përfundimtar.
Shqipëria me këtë fitore është lidere në Grupin E të kualifikimeve me tri pikë në pozitën e parë, njëjtë sa ka edhe Zvicra ku kombëtarja jonë do të udhëtojë më 11 shtator për t’u përballur në supersfidën që do të sqarojë kredencialet e kombëtares tonë për kualifikim në Botëror. /Telegrafi/