Kalo te lënda

Thaçi: Qëllimi ynë, anëtarësimi në BE dhe NATO

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur të enjten ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Erkki Tuomioja. Temë kryesore e takimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Finlandës dhe hapat që janë ndërmarrë në përmbushjen e agjendës evropiane të Kosovës.

Kryeministri Thaçi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e reformave të gjithanshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit.

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Finlandës, Thaçi ka vlerësuar lartë këto marrëdhënie dhe ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Qeverinë e Finlandës për mbështetjen e treguar për konsolidimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka përfunduar me sukses të gjitha obligimet dhe detyrat për përmbylljen e suksesshme të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, që dëshmon konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës. Tani e tutje edhe më shumë duhet të kemi përkushtim për përmbushjen e reformave demokratike shumë të nevojshme për realizimin e qëllimit tonë për anëtarësim në BE dhe NATO”, Thaçi.

Ndërsa ministri finlandez falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen dhe theksoi se bashkëpunimi ndërshtetëror mes Kosovës dhe Finlandës do të thellohet edhe më shumë në të gjitha fushat. Duke vlerësuar lartë përcaktimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjes së agjendës evropiane të integrimit, Tuomioja ripotencoi mbështetjen e Qeverisë së Finlandës për perspektivën evropiane të Kosovës. /Telegrafi/

Lini një koment