Kalo te lënda

Tenderët për ‘jaranët’

Gjatë mandatit të Nexhmedin Arifit, përfituesit më të mëdhenj të tenderëve në Komunën e Vitisë kanë qenë ithtarët partiakë dhe familjarët e zyrtarëve komunalë, ka treguar hulumtimi i BIRN-it dhe GAP-it. Arifi, në shumicën e rasteve, është arsyetuar se nuk merret me këto punë. “Është Zyra e Prokurimit që merret me këto çështje”, ka përsëritur ai.

Gjatë debatit “Jeta në Komunë”, përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile një Viti kanë drejtuar akuza të ashpra në adresë të kryetarit Nexhmedin Arifi për ngecje të zhvillimit ekonomik dhe për dhënie të kontratave ithtarëve të partisë dhe familjarëve.

 

Monitoruesit e BIRN-it dhe të Institutit GAP kanë konstatuar se pjesë e listës së përfitimeve të tenderëve nga partiakët dhe familjarët, mes tjerash, është dhe një kontratë për furnizim me pije dhe ushqim për çerdhet dhe ambulancën, në vlerë prej 35 mijë eurosh, të cilën e ka fituar ndërmarrja “Shpëtimi”, me pronar këshilltarin komunal, Besim Halimi, nga radhët e PDK-së.

 

Sigurimin e automjeteve të komunës e bën kompania “Siguria” në pronësi të zëvendëskryesuesit komunal nga radhët e AKR-së. Kryetari Arifi ka thënë se “kjo kompani ka ofruar çmimet më të ulëta në tender”.

 

Anëtari tjetër i PDK-së, Gasper Demaj, njëherësh drejtor i një shkolle të mesme në Viti, ka përfituar një kontratë me vlerë 24 mijë eurosh nga Komuna. Sipas Arifit, Demaj “kohëve të fundit nuk ka fituar tenderë, më herët komuna ka pasur organizim krejt tjetër”.

 

Kompania “Izi Petrol”, prej nga furnizohet me derivate Komuna, ka si përfaqësues Ilaz Misinin, që është vëllau i drejtorit komunal të Bujqësisë. Për këtë rast, Arifi është arsyetuar se kontrata ishte nënshkruar para se ky drejtor të merrte detyrën. “Tash nuk e ka kontratën”.

 

Kompania “Insi” me përfaqësues Sylejman Berishën, i cili ka qenë në listën e PDK-së në zgjedhjet e vitit 2009, ka fituar tenderin në vlerë prej 49 mijë eurosh për hartimin e planit rregullues të planifikimit urban. Arifi tha se Berisha vetëm “ka qenë ekspert në firmën që ka punuar në planin rregullues urbanistik”.

 

Përfitues tjetër i një tenderi të rëndë gjysmë milioni euro është Kadrush Rexhepi nga kompania “Euro Abi”, e cila kishte përkrahur gjatë fushatës PDK-në. “Kjo kompani mund t`i ketë marrë edhe më shumë se 500 mijë euro, por unë nuk kam asnjë lidhje me atë çështje”, ka vazhduar arsyetimet numri një i Komunës.

 

Gjatë debatit që është transmetuar në televizionin publik të Kosovës, RTK, Arifi është mburrur se ka ndërtuar varrezat e dëshmorëve në dalje të komunës së Vitisë, ka ndërtuar sheshin dhe parkingje, si dhe ka bërë sinjalizimin e rrugëve.

 

Ai ka përmendur si sukses, po ashtu, kompletimin e infrastrukturës ligjore të komunës. “Me ba statusin e komunës na është dashur 2/3 e anëtarëve të Kuvendit Komunal. Bashkë me opozitën kemi arritur të formojmë komisionin në nivel komunal dhe me zbatimin e të gjitha procedurave, është aprovuar statuti i komunës”, ka thënë ai.

 

Por Hasan Alia, opozitar nga LDK-ja, tha se iniciativa për bërjen e komunës me statut ka qenë e partisë së tij. Alia shtoi se kryetari po mburret për një administratë të suksesshme, e ajo nuk është e tillë. “Administrata nuk mund të quhet efikase kur në bord ka 4 apo 5 drejtorë që krijojnë për herë të parë marrëdhënie pune; nuk është administratë efikase kur në vazhdimësi kryetari ka ndjekur interesin e tij”, u shpreh ai.

 

Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë kritikoi të gjitha partitë që janë pjesë e Kuvendit Komunal për shkelje flagrante të dispozitave ligjore. Arton Muslia nga kjo lëvizje tha se edhe opozita nuk mund të amnistohet pasi ka qenë pjesë e vendimeve.

 

“Për dy vite me radhe nuk është miratuar statuti dhe për këtë nuk është përgjegjës vetëm kryetari”, tha Muslia, sipas të cilit “në Viti nuk ka fare opozitë”. Ai ka vazhduar me kritika për keqpërdorim të buxhetit, duke përmendur 208 mijë euro të paguara për mirëmbajtjen e rrugëve; 10 mijë euro për ngjyrë; 60 mijë euro për tenderin e ndërtimit të digës për ujitje etj. Përkundër shpenzimeve, sipas tij, rezultatet e punës nuk shihen.

 

“Skena politike në Viti është e depolitizuar…Përgjithësisht, politika këtu reduktohet në rroga, mëditje dhe shërbime, kurse qytetarët nuk janë në gjendje t`i gëzojnë të mirat që rrjedhimisht duhet t`i kenë”, ka thënë Muslia i VV-së.

 

Nga premtimet elektorale të vitit 2009, pak prej tyre janë parë të realizuara në terren. Mes tjerash, ura në dalje të Vitisë ka dy vjet që ka filluar të ndërtohet, por nuk është përfunduar. Komuna thotë se punimet janë ndërprerë punimet për shkak të pengesës nga një qytetar.  Kurse, mungesa e një objekti të komunës ka bërë që Administrata Komunale ende të punojë në 7 objekte të ndara./standardi.info

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: