Mlladiqi do të filmohet vazhdimisht në Gjykatë
Tribunali i Hagës vendosi të filmojë ish-komandantin e luftës Ratko Mladiq kur është në sallë të gjyqit, për shkak të komunikimit të tij të padenjë, të vazhdueshëm, me publikun.
Alphons Orie, gjyqtari kryesues në rastin kundër ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladiq, vendosi që në seancat e ardhshme, i akuzuari do të filmohet që nga momenti që hyn në sallë të gjyqit dhe gjatë seancave, deri sa gjyqi i tij të përfundojë.
“Pas fillimit të gjyqit, trupi gjykues vuri re se dhe u informua gjithashtu për rastet e komunikimit të padenjë nga i akuzuari ndaj publikut”, lexohet në urdhrin e gjyqtarit Orie.
“Për më tepër trupi gjykues u informua për një rast të komunikimit të padenjë nga i akuzuari me një dëshmitar në sallë të gjyqit, pasi trupi gjykues doli në pushim dhe u largua nga salla e gjyqit. Së fundi, i akuzuari ka treguar sjellje penguese në sallë të gjyqit”, shpjegoi ai.
Gjatë seancave gjyqësore, Mladiqi është parë rastësisht të flasë me publikun dhe viktimat në publik reaguan ndaj provokimeve të tij.
Gjatë deklaratave hyrëse nga prokuroria në maj, individët e pranishëm në publik thanë se Mladiqi bëri lëvizje që sugjeroi që do t’u priste fytin, duke treguar me gisht nën fyt.
Gjyqtari Orie përmendi gjithashtu mundësinë se komunikime të tjera mund të kenë ndodhur në seanca të mëparshme, të cilat mund t’i kenë shpëtuar vëmendjes së Trupit Gjykues, transmeton JNK.
Mladiqi, i cili u arrestua në maj të vitit të shkuar, deklaroi se është i pafajshëm ndaj akuzave për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunime të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Bosnjë, midis viteve 1992 dhe 1995.
Mladiqi akuzohet për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe në komuna të tjera në Bosnjë në vitin 1992.
Ai akuzohet gjithashtu për dëbim të boshnjakëve dhe kroatëve nga komunat nën kontroll të serbëve të Bosnjës, terrorizim të qytetarëve në Sarajevë me sulme bombardimesh dhe snajperësh dhe marrjen peng të ushtarëve ndërkombëtarë në vitin 1995.
Gjyqi do të vazhdojë më 21 gusht./Indeksonline/