Autostrada, u shpenzuan 485 milionë euro
Ndërtimet e sivjetme të autostradës Morin – Merdar i kanë kushtuar miliona euro Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo ministri e ka paguar faturën e kompanisë “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës Morin – Merdar në vlerë prej 155 milionë e 300 mijë euro.
Përfshirë edhe shpenzimet e bëra deri në fund të vitit të kaluar, në vlerë prej 330 milionëve, deri më tani për ndërtimin e “Rrugës së kombit” janë shpenzuar gjithsej 485 milionë euro.
Të dhënat e ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, të prezantuara të premten në konferencë për media në selinë e kësaj ministrie, flasin se për pjesën e mbetur të punimeve të sivjetme do të kryhen më pak pagesa. Në bazë të punimeve të sivjetme, kompania ndërtuese ka kryer 4 kilometra autostradë, duke arritur tanimë në kilometrin e 42-të të ndërtimit.
Deri më 27 nëntor, sipas Mujotës, pritet të përfundojë ndërtimi i 60 kilometrave autostradë. Sipas planifikimeve buxhetore, për ndërtimin e autostradës sivjet janë ndarë gjithsej rreth 240 milionë euro. Në një konferencë për media të mbajtur të premten, ku është shpalosur edhe puna gjashtëmujore e Ministrisë, Mujota ka thënë se më 27 nëntor “Rruga e Kombit” do të lidhet me magjistralen Prishtinë – Pejë, më saktësisht në Arllat.
“Në obligimet për kompaninë ‘Bechtel-Enka për punimet e autostradës 7, jemi brenda të gjitha përgjegjësive dhe obligimeve financiare, dhe deri tash janë paguar brenda këtij viti rreth 153 milionë euro. Kemi akoma buxhet të mjaftueshëm për të përcjellë punimet në dinamikën që ka ‘Bechtel-Enka’ në segmentin e 7-të”, ka thënë Mujota.
Ai ka premtuar se deri në këtë datë do të jenë të përfunduara edhe punimet e mbetura në gjysmë për shkak të shpronësimeve në rrugën “M9”, nga Aeroporti në drejtim të Pejës.
Sipas tij, tanimë janë duke përfunduar punët në segmentin e pestë të autostradës. E plani i Ministrisë është që si segment i gjashtë të shfrytëzohet traseja aktuale e rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë, dhe të mos bëhen shpenzime të tjera. Vazhdimi i autostradës pritet të bëhet nga pika në afërsi të aeroportit, kur edhe pritet të nisë ndërtimi i segmentit të shtatë.
Mujota ka shpalosur arritjet dhe ngecjet e punës së ministrisë së tij për periudhën gjashtëmujore. Sipas tij, plani i Qeverisë për nënshkrimin e kontratës për nisjen e punimeve për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, varet nga sigurimi i plotë i mjeteve financiare.
“Jemi në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave, me kryeministrin dhe me gjithë Qeverinë dhe me të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë, me Fondin Monetar Ndërkombëtar që të mos kemi asnjë çekuilibrim financiar, s’do të ketë asnjë krizë financiare për shkak të rrugës së re, përkatësisht autostradës 6 Prishtinë – Ferizaj – Hani i Elezit. Kontrata do të nënshkruhet atëherë kur të jemi të gjithë akterët të bindur se do të kemi mundësi financiare”, ka theksuar Mujota.
Ministria e Infrastrukturës deri të enjten ka shpenzuar 62 për qind të buxhetit vjetor. Nga buxheti i tërësishëm i kësaj ministrie në vlerë prej 280 milionë eurove, deri në këtë fillim të muajit janë shpenzuar 176 milionë euro. Brenda punës gjashtëmujore ministri Mujota ka thënë se janë kryer punë në dhjetëra projekte të vogla infrastrukturore, duke përfshirë edhe ato në bashkëfinancim me komunat. Sipas tij, janë gjithsej 92 kilometra rrugë të reja në të cilat po punohet sivjet.
“Nga 23 projekte kapitale, të bartura nga viti i kaluar, shtatë prej tyre kanë përfunduar, në të gjitha projektet e tjera vazhdojnë punimet dhe disa nga to janë afër përfundimit”, ka thënë Mujota. Sipas tij, punimet kanë vazhduar edhe në zgjerimin e rrugëve nacionale M2 dhe M9. Arritje e kësaj ministrie nga vetë ministri Mujota është cilësuar edhe finalizimi i projektit disavjeçar për ndërtimin e rrethrrotullimit në udhëkryqin e rrugëve M2 dhe M9 në hyrje të Prishtinës. Gjatë konferencës, Mujota ka folur edhe për zvogëlimin e numrit të aksidenteve me fatalitet, duke thënë se numri i aksidenteve fatale në këtë periudhë viti është më i vogël se në periudhën e njëjtë të vitit 2011 për mbi 10.4 për qind./standardi.info