Kalo te lënda

Takimet e nivelit të lartë i kontribuojnë fqinjësisë së mirë!

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një intervistë për RTV21, deklaroi se takimet e nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të nevojshme për t’i kontribuuar fqinjësisë së mirë dhe rrugëtimit evropian.

“Unë kam theksuar se takimet e niveleve të larta politike mund të ndodhin dhe mendoj se duhet të ndodhin. Është në interesin e Kosovës, por edhe në interesin e fqinjësisë së mirë që Kosova pretendon ta ketë me të gjitha vendet. Unë i sigurojë dhe garantojë të gjithë qytetarët e Kosovës se për gjithçka do të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Thaçi thotë se askush nuk e ka përmendur muajin shtator si muaj kur mund të nisin bisedimet politike, por sipas tij Kosova do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e saj.

“As që është diskutuar për diçka të tillë, por ne do të jemi të përgjegjshëm që kudo që prezantohemi ta përfaqësojmë Kosovën me përgjegjësitë tona më të larta shtetërore dhe politike,morale dhe kombëtare. Nga takimet ndërkombëtare edhe kur Serbia ka marrë pjesë,Kosova gjithmonë ka dalë fituese në këto 12 a 13 vitet e fundit”, theksoi më tej Thaçi.

Duke iu përgjigjur kërkesës së LDK-së për presidenten Jahjaga, Thaçi tha se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimet e institucioneve të pavarura janë obligative për të gjithë spektrin politik kosovar. Në të njëjtën kohë unë vazhdojë ta respektojë me përpikëri marrëveshjen e arritur ndërmjet spektrit politik për reformën zgjedhore,prandaj kam besim në vullnetin e mirë të të gjitha partive që të punojmë bashkë për ndryshimet kushtetuese sepse bojkoti i parlamentit dhe stagnimi i reformave zgjedhore nuk mendoj se i shërbejnë askujt”, theksoi shefi i ekzekutivit.

Ai përjashtoi edhe një herë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme këtë vit si dhe formimin e një koalicioni të ri qeverisës. “Nuk do të ketë koalicion të ri, sikundër që nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme, por do të ketë partner shtetndërtues dhe do të punojmë me të gjithë bashkërisht”.