Kalo te lënda

Konfiskohet pasuria e Taçit

Gjykata e Tiranës ka vendosur “sekuestro konservative” ndaj gjithë kompanive të biznesmenit të njohur Rezart Taçi, për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë eurosh, marrë për blerjen e kompanisë “ARMO” nga Azerbajxhani.

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar vendosjen e sekuestrimit pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi 85% të aksioneve të shoqërisë “ARMO”, të zotëruara nga shoqëria “AMRA Oil”.

Gjykata po ashtu ka kërkuar vendosjen e sekuestrimit mbi llogaritë bankare të dy shoqërive të sipërpërmendura, ndërsa ka kërkuar gjithashtu bllokim të pasurive të paluajtshme të “ARMO”, si dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi gjendjen e stokut të saj deri në përfundim të gjykimit.

Sekuestrimi vendoset për një shume jo më të madhe se 75 milionë euro. Ky vendim, i dhënë nga gjyqtari Ilir Çeliku, erdhi pas kërkesës së Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri ka depozituar në nëntor të vitit 2008, në llogarinë e bankës Credins, shumën prej 75 milionë eurosh, raporton TCH.

Gjykata ka provuar se kjo shumë është depozituar në bankën Credins në tre këste. Kësti i parë është depozituar më datë 18 nëntor 2008 në shumën 30 milionë euro, kësti i dytë më datë 19 nëntor 2008 në shumën 40 milionë euro dhe kësti i fundit më datë 21 nëntor të të njëjtit vit në shumën 5 milionë euro, për një total prej 75 milionë eurosh.

Banka e Azerbajxhanit pretendon se shuma e transferuar për bankën Credins në Shqipëri duhet të qëndronte në këtë bankë si depozitë, por Credins e ka përpdur atë si kredi për kompaninë “ARMO”.

Gjithashtu, Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka insistuar në kthimin e shumës duke iu drejtuar si bankës Credins ashtu dhe shoqerise “AMRA Oil”, por sipas saj kjo shumë nuk është kthyer. /Telegrafi/