Kalo te lënda

Judah: Nikolic e sheh Kosovën me thjerrëza antike

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic është i shkëputur nga realiteti dhe e sheh gjendjen në Kosovë me thjerrëza të vjetruara, thotë publicisti britanik, Tim Judah. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Judah ka thënë se nëse presidenti serb këmbëngul me këtë qëndrim, atëherë dialogu eventual me Kosovën, nuk do të çojë askund. Ndërsa lidhur me çështjen se pesë shtete të BE-së vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, Judah thotë se BE-ja ka gjëra shumë më të mëdha për të cilat brengoset,  sesa për Kosovën. “Përderisa njerëzit nuk e luftojnë njëri-tjetrin dhe nuk e vrasin njëri-tjetrin nuk mendoj se ata brengosen aq shumë”, tha ai.

Publicisti britanik ka thënë se qeverisë  re në Serbi do t’i duhet pak kohë që t’i përshtatet realitetit të ri në Kosovë.

“Ajo që Nikolic po thotë, mua më duket se ai është shumë, shumë i shkëputur nga realiteti i ri i Kosovës, si në terren, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Ai po flet për disa ide që kanë qarkulluar gjatë vitit 1999. Mendoj se do të marrë pak kohë për qeverinë e re dhe njerëzit e rinj që t’i përshtaten realitetit dhe të vendosin se si duan të vazhdojnë”, tha Judah.

Sipas tij, është befasuese që Nikolic  po flet me shprehje aq të vjetruara, “por se sa gjatë duhet pritur që ai të ndalojë së foluri me shprehje të tilla të vjetruara, nuk kam ndonjë ide”.

“Supozoj se meqë Serbia do ta gjejë veten disi të bllokuar mbi çështjen e Kosovës, nëse vazhdon të flasë kështu, supozoj se nuk do të marrë shumë kohë. Por, nëse ai këmbëngul që të flasë në këtë mënyrë, dialogu nuk do të çojë askund”.

I pyetur se çfarë lloj dialogu mund të zhvillohet në këtë atmosferë, Judah ka thënë se gjërat duhet të qetësohen dhe  Nikolic e zyrtarë të tjerë serbë duhet të kuptojnë realitetin ku veprojnë, supozoj shumë shpejt.

“Varet se çka duan të bëjnë me dialog, a duan që t’ia lehtësojnë jetën serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, që të jetojnë një jetë normale. Supozoj se do të nisin të vazhdojnë dialogun aty ku kanë mbetur gjërat. Por, nuk e di se kur do të nisin ta bëjnë një gjë të tillë. Supozoj pas disa muajve, por është vështirë të thuhet”.

Ndërsa duke folur për dialogun eventual për çështjen e veriut, Judah thotë se nuk parasheh ndonjë zgjidhje të veçantë, diçka që do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë.

“E di se politikanët flasin për këto gjëra, po në të vërtetë mendoj se kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe do të menaxhohet siç është menaxhuar deri tash, në një mënyrë, duke penguar gjërat që të vlojnë. Është lehtë të flitet për zgjidhjen për Qipron, apo për Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe palestinezëve, por në fakt zgjidhjet nuk shfaqen vetvetiu, nuk zhvillohen ashtu. Derisa politikanët nuk pajtohen për gjërat, problemet barten me dekada dhe mendoj se është e mundur që kjo të ndodhë me veriun e Kosovës. Nuk pres që të ndodhë diçka dramatike”, tha Judah.

Ndërsa duke folur për problemin se pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, publicisti britanik gjithashtu ka thënë se BE-ja ka gjëra shumë më të mëdha për të cilat brengoset sesa Kosova “dhe ata do të dëshironin që të vazhdojë dialogu. Kjo çështje do të marrë kohë”.

“Përderisa njerëzit nuk e luftojnë njëri-tjetrin dhe nuk e vrasin njëri-tjetrin nuk mendoj se ata brengosen aq shumë. Ata duan që njerëzit të mos bëjnë shumë probleme, tashmë kur në BE dhe Bruksel ka probleme shumë më të mëdha”, tha Judah. /Telegrafi/