Intelektualët: Politika të zgjedhë Nanon president, sepse ia vlen
Një grup intelektualësh i kanë bërë apel deputetëve dhe kryetarëve të partive parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë që t’i japin mbështetjen kandidaturës së ish- kryeministrit Fatos Nano për President të Republikës.
“Ne besojmë se duke mbështetur Fatos Nanon si kandidat për President të Republikës, formësojmë një precedent të ri dhe pozitiv për demokracinë shqiptare, përfilljen e trashëgimisë sonë politike me të gjithë vlerat dhe problemet e saj, por që mund të jetë në shërbim të vendit, institucioneve dhe demokracisë shqiptare shumë më tepër sesa formulat e tjera që prodhojnë një president nga një proces negociues i mbyllur e i kufizuar. Qoftë për moshën e re që ka demokracia shqiptare, qoftë për vështirësitë nëpër të cilat ajo ka kaluar, ky precedent nuk ka qenë i mundur të krijohet deri më tani, ndaj është shans që në fakt më në fund ne kemi mundësi të tërheqim nga tradita jonë më e mirë politike një figurë të tillë si Fatos Nano”, shprehen intelektualët.
Sipas deklaratës së intelektualëve, Nano, përfaqëson vlera liberalizuese dhe demokratike në traditën tonët re politike, me reformimin e së majtës së vjetër shqiptare, me reformat e para liberalizuese për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare.
Grupi i intelektualëve ka renditur një tërësi vlerash dhe kontributesh që Nano i ka pasur dhe ia vlen të zgjidhet president.
“Nano ka qenë protagonist i dorës së parë duke i dhënë vendit hope dhe avancime të rëndësishme demokratike,me zgjedhjet e lira të organizuara në kohën e qeverisjes së tij dhe me rrotacionin paqësor të pushtetit. Fatos Nano ka vendosur precedentë por aq të rëndësishëm sa gurët kilometrikë të një demokracie të re, me dorëheqjen e tij nga kryetar i Partisë Socialiste në 2005. Fatos Nano ka instaluar në jetën politike shqiptare precedentin e përtëritjes së elitave politike në këtë vend duke i dhënë frymëmarrje dhe konkurreshmëri skenës sonë politike”, theksojnë intelektualët.
Grupi i intelektualëve ka mbyllur deklaratën duke thënë, “me Nanon demokracia shqiptare ka do të hyjë në një fazë të re, kombi shqiptar të shpëtojë nga vënia e shkelmit trashëgimisë sonë politike duke kaluar nga fazat e përmbysjeve ciklike në fazën e vijimësisë së natyrshme të takuar të vlerat dhe përvoja pozitive e asaj që ne na ndodhur këto 22 vjet në politike”.
Thirrja është firmosur nga: 1.Ylli Popa 2. Dhori Kule 3. Moikom Zeqo 4. Gjergj Sinani 5. Adrian Civici 6. Mihal Tase 7. Arben Gjata 8. Ksenofon Krisafi 9. Aferdita Jonuzi 10. Petrit Malaj 11. Leonard Solis 12. Luan Bregasi 13. Zef Preci 14. Artan Santo 15. Bajram Muco 16. Shaban Sinani 17. Edit Mihali 18. Sulo Haderi 19. Ali Ahmeti 20. Uke Ibrahim Rugova 21. Thimio Kondi 22. Kujtim Cashku 23. Pirro Milkani 24. Ekrem Bardha 25. Arjan Gjonca 26. Anton Lulgjuraj