Tribuna “Epopeja e Betejës së Çabratit”(video)
Në nderim të “Epopesë së Çabratit”, sot anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! të prirë nga kryetari i saj Albin Kurti, bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Gjakovë. Aty u vendosën kurora me lule në perkujtim të deshmorëve.
Në varrezat e dëshmorëve të kombit, të pranishëm ishin edhe familjarët e të rënëve dhe vet ish ushtarët e UÇK-së, të Betejës së Çabratit. Më pas anëtarët e Kryesisë se Lëvizjes VETËVENDOSJE! së bashku me liderin e saj bënë homazhe edhe tek varrezat e martirëve të kombit, në kodrën e Çabratit, ku u pritën nga familjarë të martirëve, të cilët shprehën brengosjen dhe paknaqësinë e tyre me politikën institucionale të Kosovës, për zbardhjen e fatit të personave te pagjetur. Aty gjithashtu u vendosën kurora me lule në përkujtim të martirëve.
Fjala e plotë e Albin Kurtit (VV)
Të dashur luftëtarë të UÇK-së,
Të dashur qytetarë të komunës së Gjakovës,
Të dashura familje të dëshmorëve,
Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi,
Secila biografi e secilit dëshmor të kombit, përfshirë këtu edhe ata të Epopesë së Çabratit, është e veçantë për rrethanat dhe momentin e saj, është gjithsesi unike. Mirëpo, të gjitha ato biografi e kanë të përbashkëtën e tyre e që patjetër është shumë më e rëndësishme: ato e kanë vendosmërinë e njeriut që nuk kursen as jetën e vet për atë që mendon se është e drejtë dhe beson se është e vërtetë; e kanë qartësinë e njeriut të cilit siguria personale i duket qesharake përballë nevojës për liri kolektive; e kanë ndërgjegjen e njeriut që e kupton se duke mos rrezikuar për gjeneratat që do të vijnë do të rrezikohen pikërisht ato: pra, gjeneratat që do të vijnë; e kanë vizionin e njeriut që e ndjen se sa më shumë gatishmëri për sakrificë aq më të vogla do të jenë humbjet; para së gjithash, e kanë njeriun me bindjen e thellë se pa sakrificë nuk ka progres; dhe, mbi ta gjitha, e kanë botëkuptimin e njeriut që beson se nuk ka ndryshime nëse nuk refuzon të përshtatesh.
Posaçërisht për çdo pranverë, ne ju bëjmë nderim dëshmorëve, për të kaluarën e lavdishme, duke mos pretenduar për asnjë moment se është i mundshëm shpagimi ndaj tyre. Përderisa nderimi është nderim për të kaluarën, respektimi është respektim për të ardhmen, duke qenë respektim i qëllimit dhe mënyrës së tyre. E, mu tani, ne i shfaqemi vetes, sepse kjo gjë matet pikërisht me seriozitetin dhe sinqeritetin që kemi për të vazhduar rrugën e dëshmorëve dhe kësisoj për të realizuar qëllimin tonë. Nëse themi, ashtu siç po thuhet, se ja ne jemi të lirë tani dhe se e kemi realizuar qëllimin, kjo do të thotë se nuk duam ta realizojmë qëllimin por duam ta justifikojmë ndaljen tonë. Kjo nuk na bën të denjë për të kaluarën dhe na e bën të pasigurtë të ardhmen. Synimi ynë i kahmotshëm, që mban vulën e flijimit të dëshmorëve, për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët është realizimi i vetes sonë e që s’bëhet dot pa lirinë, e që s’bëhet dot pa vendosur ne vet për veten tonë. Procesi në të cilin ne ndodhemi aktualisht fatkeqësisht po na çon drejt negocimit të lirisë. Të pranosh të negociosh për lirinë do të thotë ta negociosh veten. Liria nuk është e negociueshme, ashtu siç nuk është as vetja jonë. Duke u negociuar liria ajo vazhdimisht do të na zmbrapset në ardhmëri.
Liria nuk ka zëvendësim dhe s’mund ta pranojmë vonimin e saj. Liria nuk është diçka që mund ta zëvendësosh me diçka tjetër dhe as të thuash se s’ka problem që s’jam i lirë meqë bën të jem ca më vonë. Duhet të jesh i lirë tash dhe këtu. Kur them liria nuk mendoj në lirinë individuale për të marrë frymë por në lirinë kolektive dhe politike që quhet vetëvendosje.
Janë bërë 13 vjet prej se dëshmorët e kombit ranë heroikisht në betejën e Çabratit; janë bërë 13 vjet nga koha kur ata dhanë jetën e tyre për lirinë e popullit, çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin kombëtar. Ne të gjithë jemi të pikëlluar që më të mirët nga ne nuk ndodhen këtu me ne, që nuk i kemi sot këtu. Por, edhe mburremi për atë që i patëm, jemi krenarë për atë se si ata jetuan dhe se si vdiqën. Guximi dhe sakrifica e tyre e mundësuan dhe e filluan rilindjen tonë. Mirëpo, qëllimi i tyre për lirinë e popullit dhe bashkimin kombëtar nuk u realizua. Nuk u realizua as e drejta e këtij populli për të vendosur vet për tokën dhe ardhmërinë e tij. Ne vazhdojmë të jemi në gjysmë të rrugës. Ende s’kemi liri, sepse kemi veçse pavarësi formale pa sovranitet. Dhe, nuk e kemi as vetëm të drejtën e vetëm Kosovës, për t’iu bashkuar Shqipërisë.
Mungesa e lirisë për një popull, është dëshmuar gjatë gjithë historisë, se herëdokur të shpie në buzë të ekzistencës. Kur nuk ke liri, shpejt mbetesh pa siguri, pa mundësi për zhvillim
ekonomik, pa arsimim cilësor, pa perspektivë dhe madje edhe pa bukë. Liria është çështje ekzistenciale, ajo është çështje esenciale për qenien tonë në këto troje. Prandaj, duhet që t’i mbledhim forcat tona, të organizohemi, nxënës e studentë, punëtorë e të papunë, të rinj e të moshuar, që ta fitojmë dhe realizojmë lirinë tonë të plotë. Shembujt i kemi – krejt çfarë na duhet është vullneti dhe vendosmëria.
Pema e lirisë i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve, porse frytet e saj universale. Ata nuk e dhanë jetën për disa njerëz dhe dëshmorët nuk i takojnë disa njerëzve. Historia dhe ardhmëria janë të lidhura. Historia nuk mund t’i takojë vetëm së kaluarës. Në momentin kur shkruhet historia, ajo i takon edhe ardhmërisë përmes ndikimit të padiskutueshëm që ka në të. Ajo që populli ynë bëri në të kaluarën është pengesë për atë që duan të tjerët të bëjnë me këtë popull në të ardhmen. Më të pathyeshmit, ashtu si gjithmonë, janë pikërisht dëshmorët e kombit. Ata, me rënien e tyre heroike kanë fituar gjallërinë e përjetshme në jetën tonë dhe të brezave që do të vijnë. Nuk janë më me ne, për të qenë në ne, për të qenë brenda nesh. Dhe, thuajse për të na e përkujtuar dhe provuar këtë, ata u mblodhën edhe njëherë, u bënë bashkë, dhe sot këtu, në këtë sallë, ku ne përkujtojmë Betejën e lavdishme të Çabratit.
Dëshmorët e martirët e kombit e kanë larë borxhin ndaj kombit. Ata i dhanë gjithçka Kosovës e nuk morën asgjë prej saj. Gjithë shqiptarët e tjerë që janë gjallë duhet të punojnë sa të jenë gjallë për kombin tonë. Të vetmit njerëz për të cilët mund të thuhet që s’kanë obligime ndaj atdheut janë dëshmorët e kombit. Vepra e dëshmorëve është më e madhe dhe më e gjatë sesa jeta e tyre. Ashtu qysh gjaku i dëshmorëve nuk humbet asnjëherë, njëjtë as emri i dëshmorëve s’harrohet kurrë.
Janë një shekull vuajtje, humbje dhe sakrifica para UÇK-së. Janë një shekull vrasje, terror, shtypje e persekutime para UÇK-së. Kryengritja e armatosur ishte vetëmbrojtje e armatosur dhe e organizuar. Ushtria jugosllave ishte makineri. Luftëtari i UÇK-së ishte njeriu. Njeriu luftonte makinën. Njeriu e mundi makinën. Mirëpo, në vend se Serbisë si makineri shtetërore që kreu gjithë ato krime t’i viheshin kushte, ato na vihen neve. Në vend se Serbia të jetë nën trysni që të heq dorë nga Kosova, jemi ne në presion që të bëjmë kompromise e koncesione ndaj Serbisë. Kjo është pasojë e faktit që në vend se të çarmatoset ushtria e Serbisë, u çarmatos UÇK-ja. Nuk ka aleanca pa pasur ushtri. Sa i kishim dëshmorët, kishim ushtri. Ata e dhanë jetën për të vazhduar lufta. Pastaj, u instaluan në krye këta që e ndalën luftën për ta vazhduar jetën. E çarmatosën ushtrinë dhe e demobilizuan popullin. Të njëjtët njerëz i kemi sot në pushtet, prandaj kemi veçse gjysëm-shtet. Mbrojtja e atdheut tonë, është detyra jonë, e jo e atyre që nuk e kanë atdhe vendin tonë.
Ne nuk kemi nevojë t’i dëshmohemi askujt tjetër. Ne duam të jemi të lirë dhe ne duhet të jemi të lirë. Ne s’duhet të lejojmë që të jemi objekt i vendimeve të të tjerëve. Na nevojitet ndihma e të tjerëve, porse vendimi duhet të jetë yni. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse ta forcojmë veten tonë për hir të vetes sonë. 13 vjet pas luftës në Kosovë, 12 vjet pas luftës në Luginë të Preshevës, 11 vjet pas luftës në Maqedoninë perëndimore, shqiptarët po i arrestojnë e vrasin në të gjitha këto vende si dhe në veriun e Kosovës. Shtetet e Serbisë dhe Maqedonisë nuk do t’i ndalin sulmet e tyre derisa të bëhet bashkimi kombëtar shqiptar. Edhe shqiptarëve që nuk e duan bashkimin kombëtar, thjesht, nuk do t’iu mbetet rrugë tjetër. Ata do të na sulmojnë deri atëherë nuk do të mund të na sulmojnë më.
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Albin Kurti Ndërkaq në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “ Asim Vokshi” në Gjakovë, u mbajt tribuna me temën “ 7 Maji 1999- Epopeja e Çabratit” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të pranishëm në këtë tribunë ishin edhe ish pjesëtarë të UÇK-së, invalidë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të komunës së Gjakovës. Panelistë në këtë tribunë ishin Mehmetali Perolli, zv.kom.i Brigadës “137 Gjakova”, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Hysamedin Feraj, ligjërues në Universitetin e Tiranës dhe anëtar i kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Mehmetali Perolli ne cilesinë e ish zv.komandantit të Brigadës 137 shprehu keqardhje për mungesën e përkushtimit të politikave institucionale komunale, që sillen si indiferentë e përçarës , prej pas luftës e deri më sot ndaj kësaj date. Poltikat institucionale janë joserioze sa i përket historisë, nderimit të figurave të kombit dhe jokontribuese në unifikimin e datave përkujtimore të Dëshmorëve dhe martirëve të Kombit. Ish-zevendës Komandanti Perolli u shpreh i pakënaqur me pushtetin e Komunës: “ Që 13 vite pas përfundimit të luftës, qytetit të Gjakovës nuk ka asnjë lapidar apo shtatore të dëshmorëve dhe heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” u shpreh ai.
Albin Kurti foli për rëndësinë që kanë dëshmorët e kombit në ndërtimin dhe ardhmërinë e kombit shqiptar . “Dëshmorët e martirët e kombit e kanë larë borxhin ndaj kombit. Ata i dhanë gjithçka Kosovës e nuk morën asgjë prej saj. Gjithë shqiptarët e tjerë që janë gjallë duhet të punojnë sa të jenë gjallë për kombin tonë. Të vetmit njerëz për të cilët mund të thuhet që s’kanë
obligime ndaj atdheut janë dëshmorët e kombit. Vepra e dëshmorëve është më e madhe dhe më e gjatë sesa jeta e tyre. Ashtu qysh gjaku i dëshmorëve nuk humbet asnjëherë, njëjtë as emri i dëshmorëve s’harrohet kurrë” , tha Albin Kurti.
Ndërsa Hysamedin Feraj vuri theksin tek vullneti dhe idetë e përbashkëta që i bashkojnë qytetarët masivisht. Kështu ndodhi në demonstratat e vitit 1981. Po kështu njëjtë ndodhi edhe me “Epopenë e Çabratit”, në të cilën ka qenë ideja dhe vullneti, në radhë të parë i popullsisë gjakovare. Kjo epope nxori në pah vlerën e vërtetë të Gjakovës, dhe në të njëjtën kohë të kujton detyrën për të qenë popull sovran, të vendosur në idenë dhe vullnetin tonë sovran, sepse vetëm idea dhe vullneti i tillë mund të na organizojnë, të na vejnë në lëvizje dhe të na japin shpresë për epopetë që po presin./kosovalbaner.com/