Si u plagos Izet Gashi nga Norvegjia,në Kosovë
I plagosuri në Malishevë që gjeti shërim në Ukrainë
Izet Gashi nga Llapushniku i Drenasit, i cili që 33 vite jeton në Oslo të Norvegjisë, ka rrëfyer për herë të parë për gazetën Blic incidentin e dhjetorit të vitit 2008, ku në ahengun familjar kishte mbetë i plagosur ai dhe një djalë i moshës rreth pesëmbëdhjetë vjeç (me inicialet P. K).
Pra, ngjarja kishte ndodhur në fshatin Drenoc të Malishevës, në një aheng familjar (kënagjegj), derisa krushqit kishin ardhë për të marr nusen, një anëtar i familjes nikoqire, gjatë gjuajtjeve me armë zjarri, nga pakujdesia kishte lënduar (plagosur) dy persona, njëri nga ta që ishte në pritje, pra Izet Gashi, i cili kishte pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa tjetri nga krushqit të cilët kishin ardhur për të marr nusen i cili gjithashtu kishte marre plagë serioze por pa rrezik për jetën. “Në incidentin e dhjetorit të vitit 2008, kam qenë i plagosur keq, por dashti Zoti edhe e tejkalova mirë, jam plagosur unë, P.K dhe një vajzë e vogël në dorë, më saktësisht në njërin gisht. Kam marr dy plumba në anën e zemrës, njëri ka depërtuar rreth njëzet centimetra afër zemrës, në bazë të matjeve që kanë bërë, edhe kur ka dal plumbi vetëm katër centimetra larg boshtit kurrizor, plumbi ka kaluar përmes brinjëve, ku e ka thyer edhe një brinjë dhe plumbi vetëm është sjellë edhe ka dal jashtë. Ndërsa, plumbi tjetër më ka kap në anën e majtë sipër kraharorit. Plumbat kanë qenë dum-dum”, ka treguar Gashi.Tutje, Izet Gashi ka treguar se shërimi i ka zgjatur me vite dhe kjo gjë kishte ndikuar të humbiste herë pas here durimin, dhe ndërlikimet shëndetësore kishin bërë që sigurimi të dërgonte aeroplanin special për ta transportuar në spitalin e Norvegjisë. “Procesi rehabilitues më ka zgjatë përafërsisht dy vite. Ku fillimisht jam trajtuar në Kosovë, në QKUK, ku kam kaluar jashtëzakonisht mirë me mjekët. Mirëpo, shkaku që nuk më ngjitej ashti më është dashur trajtimin ta vazhdoj në Norvegji. Plumbi më kishte lënë një lloj yndyre kur ka prekur ashtin, ashti nuk u ngjitke nuk u zhvillonte, kam shkuar me proteza të metalta të jashtme për gjashtë – shtatë muaj, por shkaku që nuk kisha durim sepse gjithë jetën kam qenë tip sportist absolutisht s’kisha durim dhe iu kërkoja mjekëve në Norvegji që të më vendosnin shufra të metalta brenda por mjekët nuk pranuan”, ka rikujtuar ndër të tjerash momentet e vështira Gashi. Pas shumë vizitave e konsultimeve mjekësore Izet Gashit i sugjerohet që trajtimin e tij ta vazhdon në Rusi ose në Ukrainë.“Dhe, pas konsultimeve të vazhdueshme me Dr. Gjemën që është ortoped në Kosovë dhe me mjekët e Norvegjisë më kanë sugjeruar që trajtimin ta vazhdoj në Moskë të Rusisë ose në Kiev të Ukrainës, pasi injeksionet e kalciumit që e zhvillojnë ashtin më lehtë, nuk lejohen tek ne dhe në Evropë, iu jepen vetëm sportistëve. Më është dashur të shkoj tri herë në Ukrainë, në secilën herë kam qëndruar kah dhjetë ditë, ku më është dashtë të marr 15 injeksione, në çdo 36 orë me sugjerimin e mjekut norvegjez”, ka rrëfyer Gashi. Si ndodhi rasti i plagosjeve që dasma u kthye në tragjedi?Izet Gashi e ka përshkruar me detaje ditën kritike, ku kishte marr pjesë në atë aheng te familjarët e tij, të cilët me vite s’kishte pas mundësi t’i vizitonte shkaku që jetonte në Norvegji. “Ngjarja ka ndodhë pikërisht te halla ime te e cila s’kisha mundësi të shkoja për 29 vite ndoshta mos më shumë. E martoj vëllai një vajzë në Pagarushë, edhe erdhi stërnipi në kënagjegjin tonë edhe më tha ‘khuu daja Izet a e din bre që 25 vjet nuk na ke shkel derën’, ia ktheva ‘që e ka bërë Zoti kysmet paskeni vade më ke pasnesër’ meqenëse ishin shumë afër me njëra – tjetrën. Edhe kam shkuar. Kam qenë në pritje kur kanë ardhë krushqit. Dhe, ata (krushqit) kanë gjuajt me armë, ka fillu me gjuajt edhe djali i stërnipit, si një lloj ‘gare’ mes veti ‘kush i ka armët më të mira’, gjuajshin me kallasha. Dhe, më dhimbset djali i stërnipit sepse ka mbajtur burg për këtë çështje, për këtë çmenduri që ka bërë gjatë dasmës/kënagjegjit. Dhe, ka qenë tmerri i Zotit, jo veç pse jam plagosur unë, por aty kishte prezent fëmijë. Pra, veprime të pakapshme”, ka treguar Gashi.Dorasi ndëshkohet nga shteti– derisa falet nga i plagosuri.
Izet Gashi Gashi ka folur edhe për dorasin, të cilin njëkohësisht e ka stërnip të tij, dhe e arsyeton në një formë për tragjedinë që kishte krijuar, pasi sipas tij gjithçka ishte pa dashje. Madje, ka bërë të ditur se sa herë që vjen në Kosovë, shkon e viziton hallën e tij sepse ata vazhdimisht e ndjejnë vetëm keq për gjithë atë që ka ndodhur. “Pasi kam dal nga spitali, kam dhënë deklaratë në polici, iu kam sqaruar situatën tamam siç ka qenë, sepse edhe sot e mbaj mend shumë mirë atë situatë sepse është situatë e paharrueshme. Djali i stërnipit, ka qenë plotësisht i pafajshëm sepse kushdo që ka qenë në shërbim ushtarak e kupton që automati kur qetë shumë ai nxehet edhe nuk i punon ai mekanizmi që ia përsërit edhe atij iu ndal automati gjynahit edhe u kthy prej neve. Në momentin që u kthy prej neve, ai se ka pas as dorën/gishtin në atë mekanizmin që gjuan, veç kur kanë shpërthyer plumbat. Unë aty i kam marr dy plumba, një djalë rreth pesëmbëdhjetë vjeç e kapi plumbi në këmbë dhe më duket një gocë të vogël e ka kap një plumb në gisht, me sa e di unë”, ka sqaruar Gashi.
Gashi tutje ka theksuar së në fazën e gjykimeve nuk ka qenë prezent, duke iu përsëritur se i qëndronte deklaratës së dhënë në polici. “Prej meje është i falur jo veç pse e kam stërnip por për që është i pafajshëm siç e sqarova më sipër. Mirëpo, e pranoj se pasoja ka pas në çdo aspekt, sepse unë kam pas një kompani ndërtimore në atë kohë, dhe fëmijët i kam pas jo të pjekur që me pas mundësi me menaxhuar ata kompaninë, është akoma më e vështirë kur je i vetmi në familje që punon pra je shtylla kryesore e familjes është akoma më e vështirë, sepse familjen e kthen në 360 shkallë mbrapa, sepse skenë burime tjera të mos flasim për pjesën e traumave psikologjike. Madje, unë isha në spital duke u trajtuar dhe mundohesha stërnipin (dorasin) ta ngushëlloja për ta tejkaluar situatën sa më lehtë sepse ai ishte shumë i dërrmuar shpirtërisht e psikologjikisht dhe merrja në telefon shpesh për të dhënë forcë duke i thënë unë kam shpëtuar. D.m.th. pasojat kanë qenë jo veç në shëndet por në familje e në biznes”, ka thënë Gashi.Gashi ka përsëritur se nuk ia vlen përdorimi i armëve gjatë ahengjeve duke bërë thirrje që sa më shumë të denoncohen në polici. “Është ndjesi e keqe kur një gëzim kthehet në hidhërim, pra kur totalisht e transformon një aheng që njerëzit janë të relaksuar, të gëzuar, duke u kënaqur e kthen në atë nivelin e një tragjedie të jashtëzakonshme për të gjithë ajo është keq, nuk është vetëm për atë që plagoset ose për dorasin por edhe për njerëzit përreth”, ka shtuar Gashi. Gjuajtja me armë zjarri gjatë ahengjeve traditë e shqiptarëve apo një ego për të treguar forcën?Izet Gashi, tashmë në Oslo të Norvegjisë menaxhon një kompani ndërtimore, ka konsideruar se gjuajtja me armë zjarri gjatë festimeve nuk është traditë vetëm tek ne shqiptarët, por edhe te vendet tjera në botë. “Pasi unë kam një moshë dhe kam pas rastin të udhëtoj në shumë vende të botës p.sh. një traditë e tillë është edhe në Amerikë, më saktësisht në Teksas. Po, prapë se prapë tek ne është më e shfaqur sepse ne jemi një populli i shtypur, ne jemi një popull që gjithmonë kemi qenë nën komandën (ish Jugosllavisë) e dikujt tjetër dhe për neve një pushkë ose një armë ka qenë një krenari. Mendoj që nuk e bëjnë as për trimëri, as për tjetër gjë vetëm me tregu që kemi një armë dhe ajo është totalisht një çmenduri e panevojshme”, ka theksuar Gashi.