LDK: Portalet e PDK-së po dezinformojnë qytetarët
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj lajmit për shkakrimin e mundshëm të liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, nëse ky i fundit nuk do ti fitojë zgjedhjet e 8 Qershorit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon fuqishëm shpifjet e portaleve të Partisë Demokratike të Kosovës, për gjoja organizimin e një Kongresi të partisë për shkarkimin e kryetarit Isa Mustafa”, thuhet në reagim.
“LDK-ja iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve të partisë në pushtet, e cila duke parë humbjen e sigurt në zgjedhje, e ka ulur fjalorin politik dhe po merret me shpifje të ulëta kundër LDK-së dhe kandidatit tonë për kryeministër, z. Isa Mustafa”.
LDK-ja thotë se të gjitha strukturat e saj janë më unike se kurrë dhe të bindur në fitoren e sigurt në zgjedhjet e 8 qershorit. Lista e kandidatëve për deputetë e LDK-së, është më e mira, më gjithëpërfshirësja, më profesionale, pa probleme me ligjin, dhe e pakonkurrencë me partitë tjera politike.
“Këtë e ka kuptuar më së miri PDK, të cilës i kanë mbetur vetëm edhe 12 ditë në pushtet. Unitetin e partisë tonë drejt fitores e dëshmon edhe miratimi listës për deputetë me unanimitet 100%, pa asnjë votë kundër, që është një shkollë për demokracinë në Kosovë”, thuhet më tutje.
“Kandidati ynë për kryeministër, Isa Mustafa, jo vetëm që gëzon mbështetjen e të gjitha strukturave të LDK-së, por ai e ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të vendit, në misionin e tij për të larguar nga pushteti një qeveri të zhytur në korrupsion dhe me afera që për çdo ditë i shqetësojë qytetarët e Kosovës”.
Lidhja Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të sillen konform rregullave demokratike, ndërsa vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, ju bëjmë thirrje që të monitorojnë fjalorin e partisë që po shkon në opozitë dhe mediave të saj./Indeksonline/