Kurti: Ndryshimi radial vjen me Vetëvendosjen
Lëvizja vetëvendosje po e bashkon popullin dhe kësisoj po rriten edhe radhët e saj. Kjo u tha gjatë një tubimi në Ferizaj, ku kandidatët për deputetë Emrush Xhemajli, Faton Topalli, Lumnije Morina, Glauk Konjufca, së bashku me kryetarin Albin Kurti kanë prezantuar para qytetarëve të Ferizajt pikat e Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje
“Ne zotohemi për një qeverisje që nuk sundon mbi qytetarët dhe kjo vjen pas një ndryshimi radikal me Vetëvendosje-n”, ka thënë Kurti.
Kurse ish deputeti Glauk Konjufca ka thënë se Vetëvendosje propozon ligjin që ka të bëjë me konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjin anti- mafia. “Kjo është e mundshme vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin e ardhshëm Albin Kurti”, ka thënë ai.
Për rritjen e organizatës politike të Lëvizjes Vetëvendosje ka folur kandidati për deputet Emrush Xhemajli.
“Lëvizja Vetëvendosje po i shton radhët dhe po e bashkon popullin si më parë. Të gjithë së bashku, punëtorë, fshatarë, intelektualë, studentë e nxënës duhet të jemi bashkë. Për këtë, edhe kemi bërë memorandume me sindikatat e punëtorëve”, ka Xhemajli.
Lëvizja Vetëvendosje propozon dhe angazhohet për një arsim falas për të gjitha nivelet. Për mënyrën se si e sheh Vetëvendosje këtë, ka folur kandidatja për deputete Lumnije Morina.
“Të gjitha partitë që kanë qeverisur me vendin në plan të parë i kanë pasur interesat e veta personale e partiake, kurse qeverisjen e kanë përdorur vetëm si mjet për arritjen e këtyre qëllimeve. Lëvizja Vetëvendosje ka punuar me përkushtim të madh që qytetarëve të Kosovës t’ua ofrojë Alternativën më të mirë për vendin. Për këtë ka propozuar edhe që arsimi të jetë pa pagesë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, ish deputeti i legjislaturës së fundit dhe kandidati për deputet Faton Topalli shpjegoi se vetëvendosje angazhohet për të drejtat e punëtorëve dhe organizmi sindikal. Kjo sipas tij, do të hap edhe më shumë vende të reja të punës.
“Vetëm e nënta grua punon. Këto janë pasojë e një politike që popullin tonë e ka varfëruar dhe e ka sjellë në një gjendje shumë të rëndë ku Kosova është vendi më i shtrenjtë, për nga çmimet. Por, nga ana tjetër ne jemi vendi më i pasur për shkak të pasurive nëntokësore. Me Lëvizjen Vetëvendosje do të ketë një shtet social që edhe ata që nuk kanë, të bëjnë një jetë të dinjitetshme”, ka thënë ai.