Kosova përballet me status-quo ekonomike, stagnim e papunësi të lartë
Kosova po përballet me një status-quo ekonomike dhe me stagnim për një kohë të gjatë, papunësia është tepër e lartë, për të cilën nuk ka raporte të sakta qe dy vjet, ndërsa mospjesëmarrja në tregun e punës vlerësohet se është tepër e lartë, diku rreth 63%, thuhet në raportin e Bankës Botërore për zhvillimin ekonomik në Evropën Jug-lindore.
Ky raport vlerëson se buxheti i Kosovës për vitin 2014 dhe i viteve në vijim nuk përkrah zhvillimin ekonomik, raporton KTV.
Sipas këtij raporti, Kosova ka pasur rritje ekonomike solide pa krijim të vendeve të reja të punës.
Doganat e Kosovës kanë pasur rënie të të hyrave në vitin 2013 për 1 për qind krahasuar me vitin 2012.
Rritja ekonomike për vitin 2014 parashihet të jetë vetëm 3.5 për qind.
“Me gjithë rritjen e eksporteve në vitin e kaluar, në tremujorin e parë të këtij viti ka rënie të eksporteve. Në anën tjetër, ka rënie të importeve, të cilat po zëvendësohen me produkte nga vendi. Investimet e huaja direkte u rritën në vitin e kaluar, por jo edhe sa duhej”, thuhet në këtë raport të Bankës Botërore.
Për sa i përket sektorit financiar, kreditë kanë stagnuar, megjithëse sektori financiar vlerësohet stabil. Kurse kreditë e këqija vazhdojnë të rriten.