Kombi shqiptar i lashtë sa vetë toka dhe qielli
Kush ishim dhe kush jemi, ku ishim dhe ku jemi (1)
Një vëzhgim rreth konceptit të termit gjeografik “Gadishulli Ilirik” dhe popullsia e këtij gadishulli në kohën antike
Faton Mehmetaj
Pozhar, nëntor-dhjetor 2013
Një vëzhgim rreth konceptit të termit gjeografik “Gadishulli Ilirik” dhe popullsia e këtij gadishulli në kohën antike.
Origjina e Ilirëve si dhe formimi i etnosit ilir janë ndër çështjet më të rëndësishme të historisë së lashtë të popujve të Mesdheut. Siç dihet, shqiptarët janë raca më e vjetër në Evropë (W. Peacoock). Shqiptarët kanë gjuhën më të vjetër në Evropë. Ata janë të parët që e pranuan krishterimin në Evropë. Ungjilli u përhap për herë të parë në Evropë nga apostulli Pali në Filipi në Maqedoni, ku atëbotë e kësaj dite jetonin iliro-shqiptarët (J. Tunmani).
Iliria ishte pjesa kryesore e Evropës parahistorike, bashkësia e saj më e madhe dhe bërthama e gjuhës dhe e kulturës së saj. “Përfaqësuesi direkt i ilirishtes, si gjuhë dhe si kulturë, sot është populli shqiptar” (Muharem Cërabregu, Gjeografia historike e Shqipërisë-Kosova-Çamëria, New York, 1998, f. 58).
Sipas disa shënimeve dhe dëshmive të së kaluarës së lashtë, del se Shën Pali ia predikoi popullit Ligjin e të birit të Perëndisë. Lidhur me këtë Shën Jeronim Delmata (shek. IV), që ishte ilir, përkthyes i Biblës në latinisht, pajtohej se apostull Shën Pali duhet të konsiderohet pishtar i krishterimit mes ilirëve. Pastaj më 385 u vendos në Shkodër selia episkopate, e cila pas qindra shekujsh ekzistimi, më 1867 ngritët në shkallën e Argjipeshkvisë. Përvoja dymijëvjeçare e krishterimit te shqiptarët ishte dramatike. Kjo kohë apokaliptike i takonte periudhës pasapostulike, kur filloi persekutimi romak i të krishterëve në Iliri. Martirët e parë qenë Florini dhe Laurini nga Ulpiana (afër Prishtinës) që u vranë gjatë sundimit të Hadrianit (76-138). Gjithashtu, edhe Shën Asiti i Durrësit, njëri nga tre ipeshkvijtë e kishës së hershme të përmendur në Iiiyricum Sacrum të Farlatit, u martirizua gjatë sundimit të Trajanit. Edhe gjatë sundimit të Dioklicianit që ishte ilir, u bënë përndjekje (303-311) nga të cilat vdiqën aq shumë të krishterë saqë mbeti përmendorja me mbishkrimin latin: Extincto nomine Christianorum (emri i të krishterëve u shua). Ngjarje tjetër që pengoi përparimin e ungjillit ishte invadimi nga lindja: vërsuljet e sllavëve pagan mbi Ilirinë rreth shekullit VI qenë shkatërrimtare. Kështu, sllavët shkatërronin qytetërimin iliro-greko-romak, duke iu imponuar sundimit të tyre primitiv. Një numër i madh i banorëve të Ilirisë kërkoi strehim në jugperëndim të Gadishullit Ilirik në malësi të Shqipërisë së sotme. Hapësira autoktone shqiptare, duke qenë vazhdimisht nën juridiksione të huaja, përjetoi fatkeqësi të pakompensueshme që nga viti 395, kur Perandoria Romake u nda në dy pjesë, pastaj gjatë skizmave të mëdha (ndarjes së një pjese të besimtarëve nga tërësia e kishës). (Shyqri Nimani, Gurë të Mozaikut Shqiptar, Kaleidoskop Arbëror, Prishtinë, 2011)
Gadishulli Ilirik (Ballkanik) është vendi më i begat në botë; vendi më i pasur dhe më i përshtatshmi për jetesë. Begatitë natyrore të këtij gadishulli të madh, ku dallohen qartë të katër stinët e vitit, pasuria e madhe me ujë të pijshëm: me kroje, lumenj; pasuria me pyje e bjeshkë, me xehe gjithfare po edhe me xehe të çmueshme, si ar, argjend etj., kanë tërhequr vëmendjen e fiseve pushtuese barbare që nga koha antike e deri në ditët tona. Siç dihej Ballkani më parë quhej Gadishulli Ilirik dhe shtrihej deri në jug të Istrit (Danubit të sotëm), dhe se shqiptarët me të drejtë sot janë pasardhësit autentik të ilirëve. Në këtë mënyrë, në shënimet historike dhe etnografike të Ballkanit dhe historianëve perëndimor shqiptarët konsiderohen komb i vërtetë autokton, i këtij nënqielli ballkanik. Duhet cekur se Pellazgët – Ilirët dhe Trakasit e kishin populluar gati tërë Gadishullin Ballkanik. (Reshat Avdiu, Ku shtrihen kufijtë e Kombit Shqiptar). Po ashtu duhet të ceket se shqiptarët jo vetëm se janë pasardhës të ilirëve, por ata janë aty si njeriu, raca dhe fisi i parë themeltar i Gadishulli Ilirik, e aq më tepër po këta shqiptarë janë edhe djepi i civilizimit të plotë të familjes së lashtë evropiane. Ka me mijëra vite që shohim se si karakteri gjenetik i shqiptarëve nuk ka ndryshuar edhe përkundër dëmeve që i janë bërë përgjatë historisë nga pushtuesit e ndryshëm barbar. (Gjon Keka, Iliro-shqiptarët janë gur themeltar i civilizimit europian). Ptolemeu është i vetmi në mesin e të parëve që flet për kryeqytetin e tyre, të cilin e quan Albanopoli. Ai (populli shqiptar) jetoi në këto zona, male dhe ka marrë dhe emërtimin e tyre në të gjitha revolucionet që tronditën kombet fqinje. ”(J. Thunmann 1774, faqe 240). Dhe ka më mijëra dokumente historike dhe dorëshkrime të shkrimtarëve të periudhave të ndryshme që flasin për një vijimësi iliro-shqiptare. Po marr vetëm disa nga shembujt si ai i Papa Inocent IV (Innocent IV, Epist. 61 L. VIII, 1250), që shpalos kufijtë realë të këtij populli të lashtë ilir, pra të shqiptarëve. Pastaj Homeri në veprat e tij të njohura për të gjithë flet, mbi urtësinë, heroizmin dhe përkatësinë e këtij fisi të lashtë brenda Gadishullit Ilirik. Po ashtu, edhe Plini, Virgjili dhe Lykofroni na saktësojnë vijimësinë e këtij populli në periudha të ndryshme kohore duke na i sjell ata si fise kryesore të shfaqjes së karakterit të plotë të këtij gadishulli dhe formimit të tij, madje ka të dhëna akoma më të madhe, të cilat mbështeten në dokumente të provuara se rrënjët pellazgjite te keti fisi ilir janë themelet e ketij gadishulli. (Gjon Keka, Iliro-shqiptarët janë gur themeltar i civilizimit europian).
Banorët e të njëjtit vend (Gadishullit Ilirik) shqiptarët janë pasardhës të ilirëve të lashtë, një popull i guximshëm, dhe i civilizuar. Gjuha e tyre është një e folme e lashtë ilire dhe gjuha trake formojnë një grup të veçantë të fiseve indo-europiane gjuhësore. Ndarja e vendit është përcaktuar nga sistemi i ultësirës jugore të Alpeve Dinarike dhe Dalmatike. Pastaj shtrirja e Shqipërisë së Epërme (Iliria e lashtë), Shqipërisë së poshtme (Epiri i lashtë)” (Alexander Jacob Schem 1869, 258). Megjithëkëtë, ajo që duhet nënvizuar këtu është se emrat e fiseve janë ekskluzivisht emra që kanë prejardhje nga gjuha shqipe si gjuhë e lashtë Ilire, që janë përcjellur ndër breza dhe ruajtur gjerë me sot. Po ashtu edhe shpjegimet gjeografike të vendbanimeve janë ekskluzivisht dhe në mënyrë tepër të natyrshme sipas ilirishtes së lashtë apo gjuhës shqipe si e tillë. (Gjon Keka, Iliro-shqiptarët janë gur themeltar i civilizimit europian).
Ilirët ishin ndër popujt më të vjetër e më të mëdhenj të Evropës në kohën romake e pararomake. Territori ku janë shtrirë e kanë jetuar ilirët është quajtur Gadishulli Ilirik – Iliricum-i në kohërat e lashta, në antikë; ndërsa aty nga mesi i shek. XIX është quajtur nga turqit Gadishulli Ballkanik që përdoret si i tillë edhe sot. “Nuk mund të studiohet e kaluara e Ballkanit, madje as e tanishmja, pa njohjen e elementit Ilir. Gjithçka që ka ndodhur në Ballkan prej kohës së mesme e këndej në një farë mënyre, është ndërtuar mbi atë shtresë që ne e quajmë Ilire, pra çdo tregim për Ballkanin fillon me Ilirët…Aleksandër Stipçeviç”.
Me termin “Gadishulli Ilirik” (Ballkanik) mund të kuptohet një terren më i hapët nga hapësira që përfshihet në termin “Gadishulli Ballkanik”. Mandej termi gjeografik “Evropë Juglindore”, ku përfshihet edhe Rumania, nuk mund të barazohet kuptimisht me termin “Gadishulli Ballkanik”. Për termin në shqyrtim, është më mirë dhe më e arsyeshme të përdoret termi gjeografik “Gadishulli Ilirik”, që u përdor si i tillë nga koha antike-romake e deri në gjysmën e shek. XIX. Emërtimin Ballkan ky gadishull e ka marrë nga mesi i shek. XIX, pikërisht atëherë, kur edhe bjeshkët e Pejës, të Deçanit, të Plavë-Gucisë dhe të Rugovës u quajtën nga të tjerët “Proklete Planine-Prokletije” serbisht dhe “Bjeshkët e Nemuna” në gjuhën shqipe.
Fjala Ballkan është shpjeguar sipas vargmalit “Haemus” tek ilirët e romakët, tani Stara Planina në Bullgarinë Veriore, rreth 600 km i gjatë P-L, me kuptimin “malësi”. Në shkrimet gjeografike, historike, gjuhësore, etnografike etj. sot po përdoret gjithnjë e më shumë termi gjeografik “Gadishulli Ilirik”, krahas atij “G. Ballkanik”. Edhe pse barbarët me vërsuljet e shkatërrimet e tyre do të vazhdojnë pareshtur shekuj me radhë, ata nuk do të arrijnë t’i nënshtrojnë iliro-arbëroro-shqiptarët, të cilët, si trashëgimtarë të traditave të pasura të tri kulturave kryesore civilizuese ilire, greke e romake dhe si të krishterë, e ndienin veten superiorë ndaj ardhacakëve barbar dhe pagan. Populli Ilir e më pas shqiptarë është ndër popujt e rrallë në botë që i ka ruajtur traditat, doket, zakonet, kulturën, etnografinë e gjenezen e vet për tri mijë vjet, etnos ky i cili edhe sot e kësaj dite është e freskët e vërehet kudo tek ky popull edhe sot në jetën e përditëshme. (VIJON)/epokaere.com