Sot 15 vjet NATO hodhi bombat e para mbi Serbi
Sot më 24 mars, bëhen plotë pesëmbëdhjetë vjet që NATO e bëri qiellin e Kuq në Serbi, sikur Serbia që e kishte bërë të kuqe tokën e Kosovë nga gjaku i mijëra-mijëra civilëve të vrarë nga krimet dhe masakrat e njëpasnjëshme. Fillimi i bombardimeve të NATO-së, si për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe për aktorë të tjerë të çështjes së Kosovës, është cilësuar si një ngjarje historike në vend.
Luftimet nga ajri zgjatën 78 ditë dhe u përmbyll me dëbimin e forcave serbe nga Kosova, dhe me hyrjen e rreth 50 mijë ushtarëve të NATO-s në Kosovë. 15 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, e cila i dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Fushata 78 ditore e NATO-së arriti rezultate të shumanshme politike, diplomatike dhe ushtarake. Ajo rezultoi me ndërprerjen e katastrofës humanitare dhe kapitullimin e forcave të Millosheviqit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, miratimin e Rezolutës 1244 të KS-së të OKB-së, tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe futjen e trupave të KFOR-it. 24 marsi i vitit 1999 shënon një fillim të ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësisë së vendit.
Sulmet filluan më 24 mars, 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana.
Fushata përfundoi më 10 qershor të po të njëjtit vit, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës.
Profesori universitar Avni Islami, thotë për Gazetën “Bota sot”, se Data 24 mars është datë që duhet të kujtohet nga çdo qytetar i Kosovës, duke filluar nga nxënës, arsimtar, politikan, ushtarak etj.
“Sot, u bënë 15 vite kur Forcave të UÇK- ës ju shtua edhe një Aleat i fuqishëm NATO në luftën kundër forcave serbe. Data 24 mars do të mbetet një ndër datat e kthesës historike për Kosovën. Në këtë datë NATO-ja kishte filluar bombardimet ndaj caqeve ushtarake serbe i, që zgjatën 78 ditë, ku makineria vrastare u detyra të tërhiqet nga territori i Kosovës. Në këtë luftë doli fitimtare Ushtria Çlirimtare e Kosovës së bashku me aleatët e saj”, thotë Islami.