PDK: Nuk u shua dega në Kllokot
Nga Partia Demokratike e Kosovë thonë se nga dega në Kllokot janë larguar Xhelal Rexhepi, Rilind Bislimi, Blerim Arifi dhe Yllka Bislimi dhe se nuk është shuar e gjithë dega. Lajmin që PDK në Kllokot e ka shuar aktivitetin e saj, ata e quajnë “gënjeshtër e zakonshme dhe e përditshme e Xhevat Bislimit dhe Xhelal Rexhepit”.
“PDK, dega në Kllokot nuk ka shuar aktivitetin e saj në këtë komunë, përkundrazi aty po vazhdohet me shumë përkushtim për interesat e qytetarëve”, thonë ata.
Nga kjo parti janë larguar Xhelal Rexhepi – kryetar i degës; Rilind Bislimi – nënkryetar; Blerim Arifi – sekretar; dhe, Yllka Bislimi, kryetare e forumit të gruas, njëherësh bashkëshorte e nënkryetarit të degës. Sipas njoftimit nga PDK-ja, “ata nuk kanë shërbyer asnjëherë për interesat e qytetarëve të kësaj komune”.
Ndryshe, PDK në Kllokot thotë se kjo parti është e mobilizuar për një fitore bindëse dhe të thellë, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. /Indeksonline/