Kalo te lënda

Dikush po bën fushatë me Ligjin për Veteranët e UÇK-së

727Ndërsa kryeministri i Kosovës HashimThaçi, gjatë ditëve të fundit disa herë ka bërë fajtorë Kuvendin e Kosovës për vonesën e Ligjit për Veteranët e UÇK-së, kryekuvendari Jakup Krasniqi përgjegjëse për këtë vonesë e bën Kryeministrinë.

Ndërsa kryeministri tha sot, gjatë takimit me udhëheqjen e Veteranëve të UÇK-së, sebeson se Ligji për Veteranët e Luftës së UÇK-së do ta unifikojë spektrin politik, duke kërkuar njëherit nga deputete pa dallim të votojnë për Ligjin e Veteranët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë deklaroi se Ligji mund të vijë të enjten në Kuvend nëse komisionet janë të gatshme t’i kryejnë obligimet e veta.

Përfaqësuesit e partive opozitare këto “grindje” midis bashkëpartiakëve të prishur mes vete po e cilësojnë fushatë zgjedhore në shpinë të veteranëve.
“Ligji për veteranët e luftës kam besim që do t’i unifikojë spektrin politik. Besoj se edhe debatet e mëtutjeshme janë të panevojshme krejt, tani është koha që të nxirret ky ligj dhe të gjithë deputetët pa dallim të votojnë për ligjin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë kryeministri.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ndërkaq tha sot se Kuvendi nuk është vonuar me këtë ligj, bile-bile, këtë ligj Kuvendi e ka shpejtuar pak. Ai ka bërë të ditur se pasi komisioni funksional e amandamenton ligjin, atëherë ai u drejtohet komisioneve, siç është Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për Komunitete. “Ligji për Veteranët e UÇK-së, do të ketë të mërkurën dëgjimin publik, pastaj është periudha e amandamentimit të ligjit”, ka sqaruar kryekuvendari.

“Ne funksionojmë sipas ligjeve, funksionojmë dhe i respektojmë procedurat. Kuvendi nuk është vonuar, bile mund të them se këtë ligj e ka shpejtuar pak. Janë të tjerët që i kanë bërë vonesat jo vetëm këtë vit por edhe vitet e tjera”, ka thënë Krasniqi.
Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, kryeministri Hashim Thaçi më këtë ligj është duke bërë fushatë. Por ai ka bërë të ditur se deputetët nga radhët e LDK-së do e votojnë këtë ligj.
“E gjithë kjo zjarrmi e fjalëve është fushatë, edhe pse konsiderojmë se është e nevojshme që statusi i veteranëve duhet të rregullohet, por të akuzosh Kuvendin për vonesë është e pa pranueshme, ka thënë Beqiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, AdemGrabovci, ka thënë se deri tash për shkak të disa procedurave ligji nuk ka ardhur në Kuvend as këtë javë.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka theksuar se Ligji për Veteranët është neglizhuar në mënyrë të panevojshme dhe e paarsyeshme.
“Veteranët e luftës vlerësojnë se kanë qenë njerëzit ndoshta më meritorët për stabilitetin e shtetit tonë, vendit tonë, duke pritur 14 vjet pas përfundimit të luftës për një ligj të domosdoshëm, për një ligj i cili me të vërtetë do të rregulloj mirëqenien e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Xhemajli.
Ligjin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kaluar në lexim të parë, por tash pritet që të shkojë në Kuvend për lexim të dytë.

Lini një koment