Kalo te lënda

AAK e VV synojnë të reformohen në prag të zgjedhjeve

fotoNga: Valmir Klaiqi

Partitë e mëdha, liderët e të cilave po e imponojnë agjendën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duket se i kanë zënë paksa të papërgatitura partitë më të vogla. Derisa kreu i PDK-së Hashim Thaçi, dhe ai i LDK-së Isa Mustafa, kanë ngritur tashmë edhe shtabet zgjedhore nëpër degët e tyre, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në njërën anë dhe Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër, po vazhdojnë të merren me ‘rinovimin’ e degëve të tyre.
Partia e Ramush Haradinajt, çdo javë po i ‘suspendon’ udhëheqësit e degëve të caktuara për të emëruar njerëz të rinj në krye të tyre. Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, ka thënë të dielën se reformat në AAK që kanë nisur me Mitrovicën dhe Vitinë, do të shtrihen edhe nëpër degët tjera, ndërsa e gjithë kjo sipas tij, po bëhet me vendimin e strukturave qendrore të partisë. “Marrja e partisë me degët në terren është në kuadër të reformës që është paralajmëruar prej kryetarit të partisë dhe strukturave udhëheqëse. Reforma dhe rikonsolidimi që ka ndodhur në Viti dhe në Mitrovicë, do të vazhdojë në shumicën e degëve ku konsiderojmë se duhet pasur ndërhyrje më të ndjeshme. Ndërsa në anën tjetër, do t’i konsolidojmë dhe forcojmë strukturat atje ku kemi stabilitet dhe qëndrueshmëri”, ka thënë Luma për Tribunën. Sipas tij, këto ndryshime që po ndodhin, kanë të bëjnë me aspektin organizativ dhe përgatitjen sa më të mirë për zgjedhjet nga ana e AAK-së. “Natyrisht se këto ndryshime dhe reforma do t’i japin rezultatet e veta në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Luma.
Derisa AAK ka zgjedhur formën e ndërrimeve të udhëheqësve nëpër disa degë, Lëvizja Vetëvendosje që njihet për funksionimin ndryshe nga partitë tjera, reformën e ka nisur duke ua ‘shuar’ pozitat të gjithë udhëheqësve të pikave nëpër Kosovë. Lëvizja që udhëhiqet nga Albin Kurti ka disa javë që funksionon vetëm me grupe punuese. “Me vendim të Këshillit të Përgjithshëm, Qendrat dhe Pikat e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkuar në ristrukturim, mirëpo nuk është pezulluar puna e tyre. Ato tani funksionojnë nëpërmjet grupeve punuese, të cilat e përgatisin Qendrën për zgjedhje të brendshme, me ç’rast do të zgjidhen përsëri organet drejtuese të tyre”, ka treguar të dielën për Tribunën Erzen Vraniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes. Në këtë proces të ristrukturimit, Vetëvendosje po kërkon nëpër qytetet e Kosovës njerëz të ri për t’ia bashkuar Lëvizjes. “Figura të reja publike po vinë në Lëvizjen Vetëvendosje si aktivistë të saj, të cilët pastaj do të sistemohen qoftë në organizatë, apo në përfaqësim të saj në institucione, varësisht se ku mund të kontribuojnë më shumë”, ka thënë Vraniqi.
Edhe pse nëpër komuna Vetëvendosje nuk ka udhëheqës të degëve, por vetëm grupe punuese, megjithëkëtë, sipas Vraniqit VV është e gatshme për zgjedhjet parlamentare. “Vetëvendosje ka qenë dhe është e gatshme të shkojë në zgjedhje sa më parë, sepse çdo ditë më tepër me këtë qeveri, është një ditë më shumë në degradimin si politik, ashtu edhe ekonomik të vendit”, ka thënë ai. Sipas Vraniqit, në zgjedhjet e reja parlamentare, Vetëvendosje nuk bënë koalicion parazgjedhor me asnjë subjekt politike, por garon e vetme me konceptin politik, programin dhe alternativën qeverisëse të saj për të fituar.

Lini një koment