OVL UÇK deputetëve: Bashkohuni kur janë në pyetje vlerat e luftës
Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe kryesisë i ka shkuar një kërkesë publike nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nga të cilët kërkojnë që leximi i dytë për Projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vendoset në seancën e së enjtes. Ata kërkojnë nga deputetët, që të bashkohen kur janë në pyetje vlerat e luftës.
Veteranët thonë se nuk ka arsyetime që miratimi i këtij projektligji të shtyhet.
“Veteranët që sot ndodhen në gjendje të mjerueshme ekonomike-sociale, gjendje që shkaktoi dhe pasoja të mëdha në aspektin psikologjik, social e të tjera, presin që ligjvënësit më në fund të kujdesen edhe për ta”, thuhet në njoftimin e organizatës së veteranëve.
Ata potencojnë edhe njëherë se nuk janë pronë e asnjë partie politike.
“Janë ata që sakrifikuan më së shumti për lirinë e vendit, janë ata që u bën shembull i durimit dhe mirëkuptimit në procesin e paqes dhe shtetndërtimit”, thuhet më tutje në njoftim.
Veteranët theksojnë se këto janë arsyet të cilët ata po presin përkrahjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.