Kosova pa ligj për kthimin e pasurisë së konfiskuar dhunshëm
Shumë qytetarëve të Kosovës, ish-Jugosllavia ua kishte bërë një të padrejtë të madhe, duke ua marrë atyre pronat dhe duke i kaluar në shfrytëzim të ndërmarrjeve shoqërore, raporton KTV.
Kështu vlerëson avokati dhe njohësi i çështjeve pronësore, Shefki Sylaj.
Sipas tij, Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e ka Ligjin e kthimit të pronave, të cilat u qenë marrë qytetarëve nga ish-sistemi. Ai ka thënë se pas luftës është dashur të miratohej një ligj i tillë, mirëpo, sipas tij, kjo nuk është bërë me qëllim që të abuzohet me parcelat e qytetarëve.
Sylaj ka theksuar se edhe organet e drejtësisë s’e kanë kryer punën e tyre, pasi që lëndët e deponuara nëpër gjykata janë zvarritur me vite.
E, kryetari i Dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, ka thënë se mungesa e Ligjit për kthimin e pronave përbën vështirësi për ta në marrjen e vendimeve meritore në këso rastesh.
Sipas tij, edhe numri i vogël i stafit e ka bërë të pamundur që këto lëndë të trajtoheshin më shpejt. Nga më shumë se 2.500 padi që janë deponuar në Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme, vetëm 527 prej tyre janë shqyrtuar, ndërsa presin me vite rreth 2.000 lëndë të tjera.