Erdogan mbylli Twitter-in prej videos me ish-mis turqinë?
Arsyeja se pse kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan ndaloi përdorimin e Twitter-it ditën e premte, duket se ka të bëjë me një video personale të tij, të hedhur në këtë rrjet social. Në rrjetet sociale, por edhe në media po qarkullojnë zëra se në Twitter është hedhur një video, ku shfaqet Erdogan së bashku me ish-mis turqinë, Defne Samieli.
Kjo gjë ende nuk është konfirmuar, por në qoftë se do të ishte e vërtetë, reputacioni i kryeministrit turk do të dëmtohej shumë, dhe mund të ndikojë edhe në votimet e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 30 mars. Kryeministri Erdogan argumentoi se e ndaloi Twitter-in, pasi ky rrjet social po përdorej si një instrument kundër tij. Ndërkohë presidenti i Turqisë, Abdullah Gul deklaroi sot se bllokimi i faqes “Twitter”, që shkaktoi kritika si në Turqi dhe në arenë ndërkombëtare, do të hiqet shumë shpejt.
“Nuk është ligjërisht e mundur që të ndalohet interneti dhe faqe të tilla si Twitter”, -deklaroi Gul përpara gazetarëve në Ankara, përpara se të niset për në Holandë, ku do të mbahet nesër një konferencë ndërkombëtare për sigurinë bërthamore. “Është dukshëm një situatë jo e mirë për një vend të zhvilluar si Turqia, që është një aktor rajonal me peshë dhe në negociata me Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, ky problem do të kalohet shumë shpejt”, -tha presidenti Gul.