A po spastron politikisht AKI-ja?!
Disa komandantë të regjioneve të policisë nuk janë të besueshëm dhe mund ta dëmtojnë sigurinë e shtetit. Vlerësimin e ka dhënë Agjencia Kosovare e Inteligjencës. Policia e Kosovës është institucioni i radhës ku shumë zyrtarë kanë dështuar në testin e sigurisë që AKI, po ua bën zyrtarëve të shtetit. Njëzetekatër (24) zyrtarë të lartë, duke përfshirë edhe komandantë të stacioneve rajonale, kanë rënë në testin e sigurisë.
Burime të gazetës Tribuna, të lidhura me këtë proces, kanë bërë të ditur se pavarësisht notës negative nga inteligjenca, asnjë nga këta zyrtarë nuk kanë lëvizur nga pozitat e tyre, pavarësisht se ligji e thotë të kundërtën. Sipas burimeve, shkarkimin po e pamundëson procesi i ankesave që mund ta shfrytëzojnë ata që marrin notë negative duke i ndjekur procedurat në gjykatë.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar që mbikëqyrin AKI-në kërkojnë që të shkarkohen këta zyrtarë, por ekspertë të sigurisë, hedhin dyshime se testi i Agjencisë së Inteligjencës po përdoret për spastrime politike. Ushtaraku Naim Maloku, kërkon që të rishikohet testi…(më gjerësisht në gazetën Tribuna).
