Kalo te lënda

VV: Pandëshkueshmëria ka normalizuar krimin në Pejë

fotoQytetarët e Komunës së Pejës përjetuan dje një ngjarje të rëndë në të cilën mbetën të vdekur dy persona e gjashtë të tjerë u plagosën nga breshërinë e plumbave që kërcitën në mes të ditës, në mes të qytetit.

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shprehin ngushëllimet për familjarët e të vrarëve dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurëve.

Por, tragjedia e kësaj ngjarjeje nuk qëndron vetëm në numrin e viktimave të djeshme, pasi ky nuk është një rast i izoluar. Ngjarja e djeshme është thellimi i një situate të rëndë, të kriminalizuar në Pejë. Vrasje të tilla nuk janë përjashtimi nga rregulli në Pejë. Ato janë shndërruar në vetë rregullin që përjashton sigurinë e qytetarëve.

Një situtatë e tillë e kriminalizuar nuk dënon vetëm viktimat dhe familjarët e tyre, por ajo mban peng një shoqëri të tërë të shtypur dhe të terrorrizuar. Është e palogjikshme të mendohet që ne si shtet po e humbasim luftën kundër këtij krimi të organizuar e të përsëritur për shkak të mungesës së provave apo të kapaciteteve të munguara të organeve të rendit. Dështimi në fitoren e kësaj lufte mund t’i atribuohet vetëm vullnetit politik të munguar për ta çuar këtë luftë deri në fund dhe për ta fituar atë. Kjo mungesë vullneti politik duket se ka karakterizuar qoftë pushtetin qendror e qoftë atë lokal, të kaluar dhe aktual. Ky vullnet i munguar i ka hapur rrugën krimit i cili kthehet në terror atëherë kur kalon si i pahetuar dhe i pandëshkuar. Kjo mosndëshkueshmëri e përsëritur është miratim në heshtje nga institucionet e shtetit.

Lufta kundër krimit dhe terrorit mund të fitohet dhe do të fitohet nëse të bashkuar kërkojmë drejtësi, dhe nëse nuk shpërqëndrohemi më prej atyre që me mosveprimin e tyre dhe premtimet bosh sundojnë sot në bashkëjetesë me krimin.

Edhe pse, ngjarja që ka ndodhur është shumë e rëndë, ne kujtojmë së në të kaluarën qytetarët e Pejës i kanë bërë ballë krimit që ka qenë edhe më i madh edhe më makabër se ky i sotmi. Ne jemi të bindur në fuqinë transformuese të shoqërisë sonë për të kërkuar dhe vendosur drejtësi. Kjo fuqi do të zgjohet sa po të hapen sytë dhe të bashkohemi në përpjekjen për të dalë nga zgjedha e terrorit dhe për të sjellë në jetë drejtësinë.

Lini një koment