“Senzacionale”: Shqiptari, amerikani e gjermani e kanë prejardhjen prej barsoletave
Në intervistën ekskluzive për Telegrafin, kryetari Lexhendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, tregon se e di origjinën e popujve dhe të ardhmen e shqiptarëve deri në katër miliardë vjetët e ardhshme.
Në këtë intervistë ai flet për syrin e Kadri Veselit dhe për statujën që është gati të ndërtohet për nderin e tij.
Lexuesi nga kjo intervistë kupton se Arifaj ka prejardhje nga një familje e varfër pellazge dhe përparimtare dhe se atë e pengojnë ulëset në Asemblenë e Komunës së Prishtinës, për faktin se nuk kanë rrota.
Arifaj shprehet për krizën në Ukrainë dhe skandalet e korrupsionit në Turqi. Përkitazi me këtë të fundit, ai me bindje deklaron se Partia e Fortë është e pafajshme.
Për të liberalizimi i vizave nuk është çështje e rëndësishme, ndërsa nuk deklarohet për parashikimet e Shërbimit Informativ SHPIF të PF-së.
“Duke e pasur parasysh se është shërbim sekret, natyrisht se ato nuk mund t’i ndajmë me publikun”, thotë ai.
Lexhendari ndjehet i lumtur për nivelin e plagjiaturës në Kosovë. Madje, sipas tij, “plagjiatura dhe kontrolli jo edhe aq i shtrënguar në punimet shkencore, i liron studiuesit që të merren më shumë me punë praktike dhe të mos humbin kohë në teknikalitete akademike”.
Ai nuk e konsideron veten seks simbol, pasi thotë se është “simbol i progresit”. Ndërkaq, i pyetur për planet në të ardhmen, thotë se nuk ka asgjë të veçantë, pos “shtrirjes së pushtetit në tërë globin”.
Intervistën e plotë legjendare (me foto dhe video ekskluzive), me kryetarin Lexhendar të Partisë së Fortë, mund ta lexoni këtu. /Telegrafi/