Maqedoni, të hënën nis fushata për zgjedhjet presidenciale
Në shtabet zgjedhore të partive politike po bëhen përgatitjet e fundit para fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet presidenciale.
Fushata zyrtarisht nis nga dita e hënë më 24 mars. Partitë politike dhe kandidatët e tyre nuk bëjnë të ditur akoma agjendat e tyre.
Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE, Stevo Pendarovski nga LSDM, Iljaz Halimi nga PDSH dhe Zoran Popovski nga GROM janë katër kandidatët që më 13 prill do të masin besimin e tyre tek qytetarët.
Ivanov pritet të nis fushatën me një miting promovues nga Ohri, ndërsa Pendarovski fillon nga Shkupi. Iljaz Halimi kandidati i vetëm shqiptar do të nis nga Tetova.
Shtabet partiake kanë paralajmëruar më pak mitingje masive dhe më shumë takime të drejtpërdrejta me qytetarët. Partitë theksojnë se do të zhvillojë fushatë ndryshe nga ato të deritanishme, me më pak mitingje dhe më shumë komunikim të drejtpërdrejt dhe takime me qytetarët, por duke shfrytëzuar edhe rrjetet sociale.
Fushata e zgjedhjeve presidenciale do të ndërlidhet me ate të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që nis më 5 prill. Karvani i presidentëve do t`i bashkëngjitet partive të tyre nëpër mitingjet dhe karvanet nëpër qytetet e vendit. Kjo fushatë e përbashkët do të zgjas për rreth një javë, para mbajtjes së raundit të parë të presidencialeve më 13 prill.
Heshtja zgjedhore do të jetë më 13 dhe 14 prill dhe do të vlejë edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ashtu që më pas edhe për 12 ditë të tjera do të vazhdojë fushata e zgjedhjeve të dyfishta deri para mesnatës së 25 prillit kur hyn në fuqi heshtja zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe raundin e dytë të presidencialeve të caktuar më 27 prill.