Krasniqi: Vendin duhet ta qeverisin të mençurit jo budallenjtë
Nisma për Kosovën është promovuar të shtunën edhe në Ferizaj. Në tubimin e mbajtur me qytetarët e Ferizajt kanë marrë pjesë liderë të këtij subjekti politik, të cilët kanë folur për strukturimin kësaj partie të sapoformuar, shtrirjen dhe masivizimin e saj.
Nisma për Kosovën u tha të jetë formuar për të bërë ndryshime rrënjësore të qeverisjes dhe në funksion të zhvillimit në të gjitha sferat e jetës. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismes, Jakup Krasniqi, ka folur për funksionimin e shtetit ligjor, si një ndër parakushtet për të qenë Kosova shtet, për zhvillimin ekonomik, stimulimin e bizneseve, krijimin e politikave fiskale dhe aspekte tjera.
“Kosova ka nevoja të shumta, por ato nuk do të përmbushen pa shtetin e së drejtës. Ne jemi larg, tepër larg këtij shteti. Jemi larg sepse qeveritë dhe partitë, ma mirë të themi liderët që kanë qeverisur deri më tani, nuk kanë pasur vullnet politik dhe as dije për të qeverisur. Qeverisja e vendit u përket të diturve. Kosovës i duhet një strategji e zhvillimi ekonomik, me politika të qarta fiskale, të stimulojnë investimet, bisenset dhe janë në shërbim të shtetit social”, theksoi Krasniqi.
Ndërsa, kryetari Nismës, Fatmir Limaj, ka ftuar qytetarët e Ferizajt që t’i bashkohen Nismës për të bërë ndryshime, duke mos lënë anash edhe kritikat për qeverisjen e deritashme, e cila sipas tij, nuk ka qenë në funksion të përmbushjes së detyrimeve ndaj qytetarëve, përpos në kohë fushatash kur kanë kërkuar votat e tyre. Ai këtë e ka ilustruar me rastin e punëtorëve të Fabrikës së Tubave.
Edhe kreu i Nismës për Ferizajn, ish-gjenerali i FSK-së, Imri Ilazi, ka thënë se bashkimi rreth Nismës, do të sjell ndryshime në shumë segmente.
Nisma për Kosovën në Ferizaj, është formuar ditë më parë, ndërsa pjesë të këtij subjekti politik u tha të jenë bërë personalitete të njohura të Ferizajt, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre në shumë procese me rëndësi. /KP/