Kalo te lënda

Hiqet fotografia e Adem Jasharit nga salla e Kuvendit në Skënderaj

fotoFotografia e komandantit Adem Jashari është hequr nga salla e mbledhjeve në Kuvendin Komunal në Skënderaj. Ajo ka qëndruar në ballë, në afërsi të logos së Komunës deri në seancën e kaluar të Kuvendit të Komunës. Kurse në sallën ku mban mbledhje qeveria lokale një foto e tillë nuk është vendosur asnjëherë.
Vendosja e fotografisë se Adem Jasharit në të gjitha ambientet zyrtare të Komunës së Skënderajt praktikohet që nga paslufta. Gazeta Koha Ditore i ka pyetur për heqjen e portretit të Adem Jasharit më shumë se gjysmën e kuvendarëve dhe ata kanë thënë se nuk e kanë vërejtur mungesën e tij.

 

Kuvendari Cenë Behrami (LDK) ka thënë se “nuk ka guxuar as të mendohet e lëre më të hiqet nga salla e Kuvendit fotografia e Adem Jasharit”. Ndërkaq kolegu i tij Qazim Xani (AAK) e ka quajtur veprim të palejueshëm.

“Këto janë lojna të njohura të kësaj udhëheqje, e cila gjithçka ia përshtat interesave personale e partiake, andaj herë e qesin herë e heqin”, ka deklaruar ai.

Ajnishahe Halimi (LVV) ka deklaruar se nuk është hera e parë që pushteti aktual në Skënderaj bën veprime të papranueshme e një prej tyre është edhe rasti në fjalë.

“Heqja e fotografisë së komandantit legjendar nga salla e Kuvendit tregon se ky pushtet është i interesuar ta sfidojë edhe vet personalitetin e pakontestueshëm të Adem Jasharit”, ka deklaruar Halimi.

Edhe Berat Dajaku (PD) e ka quajtur të paarsyeshëm këtë veprim.

“Nëse ka qenë e arsyeshme të mbahet ajo fotografi deri tash mendoj se është e arsyeshme me qenë aty edhe më tej”, ka thënë Dajaku.

Diç më të butë në gjykimin e këtij rasti kanë qenë kuvendarët nga radhët e PDK-së. Shahin Tahiri, që njihet si mjaft kritik ndaj ekzekutivit, ka thënë se nuk beson se është i qëllimshëm një veprim i tillë.

“Nëse e kanë pasur për qellim që ta ndërrojnë me ndonjë fotografi më të mirë, atëherë është dashur paraprakisht të sigurohet fotografia tjetër”, ka deklaruar ai.

Me këtë është pajtuar edhe kolegu i tij, Sylejman Haxha, i cili ka shtuar se “në asnjë mënyrë hapësira në ballë të sallës nuk ka guxuar të mbetet pa fotografinë e komandantit as edhe një minutë”.

Zëdhënësi i Komunës, Hajriz Koci, ka pranuar se në seancën e fundit të Kuvendit ka munguar fotografia e komandantit legjendar Adem Jashari, por këtë e ka cilësuar si lëshim teknik e të paqëllimshëm.

“Është menduar që ajo fotografi të zëvendësohet me një tjetër më të mirë të komandantit, për këtë arsye është hequr”, ka treguar Koci, duke shtuar se mosvendosja e saj me vonë ka ndodhur si pasoje e pakujdesisë. /Koha Ditore/

Lini një koment