Familjari i Hajredin Kuçit merr katër paga, punëtorët e administratës në grevë
Është i thirrur t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve të administratës së punëtorëve të Universitetit të Prishtinës, por një gjë të tillë nuk po e bën. Bekë Kuçi, nënkryetar i Sindikatës së punëtorëve të Administratës së UP-së, nuk po e çan fare kokën për grevën në të cilën kanë hyrë punëtorët të cilët i përfaqëson. Për këtë, siç duket, ai e ka një arsye. Kuçi, siç mëson gazeta, i merr hiq më pak se katër paga në institucionet publike. Është nënkryetar i Sindikatës së administratës së Universitetit të Prishtinës.
Është asistent në Universitetin Publik të Pejës, është i angazhuar në Fakultetin Ekonomik si dhe është anëtar i Senatit të Administratës në UP. Për më shumë Bekë Kuçi është edhe familjarë i zv/kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, shkruan Tribuna.
Gazeta ka provuar të marrë një përgjigje gjatë gjithë ditës nga Bekë Kuçi, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Nga ana tjetër, përfaqësues të këshillit grevist të punëtorëve të administratës së UP-së, i kanë kritikuar drejtuesit e Sindikatës së administratës së UP-së për afërsi me njerëz të pushtetit, si dhe të punësuar në disa pozita. Madje ata i kanë quajtur drejtuesit e kësaj sindikate, si të vetëzgjedhur.
Artan Mjeku, përfaqësues i këshillit grevistë, thotë se ka kërkuar disa herë nga Bekë Kuçi që të bisedojë në lidhje me shqetësimet e punëtorëve të kësaj administrate për rritje të pagave dhe zgjidhjen e statusit të tyre, mirëpo, sipas tij, Kuçi asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm të bisedojë për këtë çështje. “Disa herë e kam kërkuar takim për të biseduar në lidhje me kërkesat e punëtorëve të administratës për rritje të pagave, por ai nuk ka dashur të merret me këtë punë”, ka thënë Mjeku.
Ndryshe, punëtorët e Administratës së UP-së ka tri ditë qe kanë hyrë në grevë në kërkim të rritjes së pagës dhe trajtimit më të mirë, por ata deri më tani nuk e kanë gëzuar përkrahjen e përfaqësuesve të sindikatës e cila i përfaqëson. Këshilli grevist e ka akuzuar kryesinë e Sindikatës se marrin paga deri në 1600 euro në muaj.