Veteranët paralajmërojnë protesta nëse nuk u plotësohen kërkesat
Të enjten kur pritet të shqyrtohet Projektligji për veteranët e UÇK-së, këta të fundit kërkojnë ndryshimin e shumë neneve ekzistuese. Një ndër nenet me të cilin ish-luftëtarët nuk po pajtohen është ai për pensionet dhe çështjen e vendbanimit. Kërkojnë që secili veteran ta gëzojë që tashti pensionin, ndërsa atyre të cilët nuk kanë kulm mbi kokë, t’u bëhet një zgjidhje edhe me ligj, raporton KTV.
E nga ana tjetër, vërejtja e vetme që ka për këtë projektligj kryetari i OVL-së së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, është ajo për afatin kohor që përcakton ligji.
Xhemajli i ka porositur të gjithë ata të cilët vazhdimisht kritikojnë këtë projektligj ta lexojnë së pari e pastaj të flasin. Ndërkohë, disa veteranë të Mitrovicës, të cilët një muaj më parë kanë dorëzuar peticionin në Kuvend me pesë kërkesa për përfshirje në diskutim të këtij projektligji, presin që deputetët t’i shprehin shqetësimet e tyre në seancë.
Muajin e shkuar, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për veteranët e UÇK-së, pas shumë protestave dhe presionit të bërë nga ta.