Schroeder: NATO shkeli Kartën e Kombeve të Bashkuara për Kosovën
Ish kancelari gjerman Schroeder: NATO shkeli Kartën e Kombeve të Bashkuara me intervenimin në Kosovë.
Ish kancelari gjerman Gerhard Schroeder, ka krahasuar aksionin rus në Krime me intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Ai tha se në të dy rastet është shkelur Karta e Kombeve të Bashkuara. Schroeder aktualisht është shef i një konzorciumi që ka lidhje me Gazpromin rus, e që lidh direkt Gjermaninë përmes Detit të Zi. Duke folur për rolin e Perëndimit në krizën e Ukrainës, ai tha se nuk dëshiron të flas ende, pasi në të kaluarën ka vepruar me pajtimin për intervenimin e NATO-s në Kosovë.
“Natyrisht se veprimet në Krime janë thyerje e ligjit ndërkombëtar. Por ju e dini pse unë hezitoj të drejtoj gishtin aktualisht, kjo sepse unë e kam bërë vetë..kur ne u pajtuam me zhvillimet në Republikën Federale të Jugosllavisë, për luftën e Kosovës, ne kemi dërguar aeroplanët Tornado dhe së bashku me NATO-n kemi bombarduar një shtet të pavarur pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kosova ishte kopje e asaj që po ndodh për momentin në Krime. Të dyja incidentet prej perspektivës formale, janë thyerje e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha Schroeder për gazetën gjermane “Die Zeit”.
Ndërkohë, tha se Vladimir Putin, me situatën në Krime, po mundohet të tregoj rolin e Rusisë në raport me SHBA-të. “Besoj se ai (Putin) po mundohet të konsolidoj Rusinë, në zhvillimin ekonomik dhe ta mbajë atë si vend të madh dhe të fuqishëm kështu që Rusia të mund të operoj në rol në fushën e lojës me Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë,besoj, se Putin, si dikush i cili mendon në terme historike, pasi Rusia ka frikë të jetë e rrethuar”, tha Schroeder.