Zyra e Kryeministrit: Thaçi nuk është marrë në pyetje
(I freskuar) Zyra e Kryeministrit të Kosovës demanton lajmin e publikuar në një të përditshme kosovare, se kinse prokurori Williamson e ka marrë në pyetje Kryeministrin Hashim Thaçi. “Kjo është plotësisht e pavërtetë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
“Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës rikujton se liria e medias dhe e shprehjes së lirë nënkupton mbi të gjitha përgjegjësinë profesionale dhe etike, që duhet të bazohet në plasimin e lajmit të saktë, vetëm pasi të jenë bërë verifikimet përkatëse”, thuhet në komunikatë.
————————————–
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka takuar të martën në zyrën e tij prokurorin që po i heton krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt, Clint Williamson.
Burime të gazetës kanë shpjeguar se shefi i Qeverisë nuk është takuar në cilësinë e kryeministrit, por si njëri nga subjektet e hetimit që po bën Williamson.
Të njëjtat burime kanë shpjeguar se fakti që është zhvilluar një bisedë, nuk jep kurrfarë indikacioni se në rast të një aktakuze, kryeministri i Kosovës do të jetë në mesin e të akuzuarve.
Për më shumë, gazeta Tribuna, bazuar në të njëjtat burime ka raportuar më herët se kryeministri Hashim Thaçi nuk pritet që të jetë në mesin e të akuzuarve pas përfundimit të hetimeve në qershor të këtij viti…(më gjerësisht në gazetën Tribuna).
