VV: LDK u frikësua të jepte nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut
Njeriu që me ngulm kishte kërkuar hetimin e Shërbimit Informativ të Kosovës, Florin Krasniqi, fajëson LDK-në për dështimin e iniciativës së tij.
Krasniqi thotë se LDK-ja është frikësuar t’i jepte nënshkrimet për themelimin e Komisionit hetimor për SHIK-un, sepse sipas tij, më pas do të duhej të hetohej edhe Sigurimi i Atdheut, që ishte shërbim i LDK-së.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka sqaruar se kjo parti konsideron se hetimet për Shërbimin Informativ duhet t’i bëjë prokuroria, e jo Kuvendi i Kosovës, raporton KTV.
Gashi ka theksuar se LDK-ja e konsideron SHIK-un si organizatë ilegale dhe hetimi eventual i tij nga Kuvendi do ta legjitimonte atë. Sipas tij, kjo është arsye kryesore pse nuk kanë mbështetur iniciativën as të AAK-së e as të “Vetëvendosjes”.
Ndërkohë, nismëtari i parë dhe kritikuesi i madh i SHIK-ut, Burim Ramadani, ka thënë se kurdo qoftë duhet të hetohet veprimtaria e këtij shërbimi.
Një nga ish-drejtuesit e Shërbimit Informativ, Fadil Demaku, thotë se është i gatshëm të japë nënshkrimin, pasi sipas tij, ky shërbim ka funksionuar me bazë të shëndoshë ligjore.