Kalo te lënda

Sulmohet stacioni policor në Zubin Potok – lirohet një serb i arrestuar

20140313000242560646Kryebashkiaku i Komunës së Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ka bërë me dije se sot në mbrëmje, një grup qytetarësh kanë sulmuar stacionin policor në Zubin Potok dhe kanë liruar Slobodan Sovrliqin.

Sovrliq ishte arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Vuloviq, në një deklaratë për gazetarë, ka thënë se situata në këtë komunë tani është e qetë dhe se janë shpërndarë qytetarët të cilët më parë kishin bllokuar stacionin e policisë së Zubin Potokut.

Sipas informatave jozyrtare, gjatë këtij sulmi në stacionin policor janë shkaktuar dëme materiale. Ndërkaq policia ende nuk është dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjet e fundit atje.

Mediat serbe raportojnë se situata rreth orës 22:00 atje ka qenë e qetë, por janë shtuar patrullimet policore në këtë komunë.

Mësohet gjithashtu se pas këtij incidenti, Policia e Kosovës ka nisur një hetim dhe ka bllokuar daljet e stacionit. Nëpër rrugë, siç raportojnë mediat serbe, mund të shihen policë që kontrollojnë makinat dhe kanë të veshur jelekët anti-plumb.

Ndërkaq, Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë e ka dënuar sulmin ndaj stacionit policor në Zubin Potok duke thënës se çdo përdorim i dhunës nga serbët gjithmonë do të përdoret si kundërsulm ndaj tyre.

“Zyra u bën apel serbëve në Krahinë që ta ruajnë qetësinë pasi që në këto momente, mirëkuptimi, qetësia dhe stabiliteti na nevojiten më së shumti”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

© KOHA.net 

Lini një koment