Nuk lëshon Barca
Barcelona e ka konfirmuar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas fitores prej 2-1 në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales kundër Manchester Cityt. Në sfidën e parë në Etihad Stadium, Blaugranët fituan me rezultat 2-0 dhe pas përballjes në Camp Nou, ata kualifikohen tutje me rezultat të përgjithshëm prej 4-1. Katalunasit zhvilluan lojën e tyre tipike në fillim të ndeshjes, duke pasur posedimin, duke shkuar në ofensivë dhe duke i shkaktuar telashe kundërshtarit, ndërkohë që mysafirët përpiqeshin të ndëshkojnë me kundërsulme.
Madje, vendasit arritën të shënojnë një gol me anë të Neymar, pas asistimit të Jordi Albas, mirëpo arbitri e anuloi golin për pozitë jashtë loje. (Xhirimet treguan se Alba ishte në pozitë të rregullt kur e pranoi topin nga Xavi).
Skuadra angleze u angazhua më shumë në çerekun e fundit të pjesës së parë, mirëpo spanjollët shumë shpejt e transferuan rrezikun në portën kundërshtare. Raste pati nga të dyja palët, por rrjetat nuk u prekën në gjysmën e parë.
Mysafirët e filluan mirë fraksionin e dytë, mirëpo për një çast i drithëroi Leo Messi, goditja e të cilit u përplas në shtyllë. Menjëherë pas, Dzeko bëri një goditje të mrekullueshme me kokë, por intervenimi i Valdes ishte i jashtëzakonshëm.
Rastet e Cityt vazhduan të shtoheshin gjithnjë e më shumë, porse Blaugranët vazhduan ta bllokonin lojën e tyre dhe të shfaqnin rrezik në fazën ofensive.
Dhe një gabim në fazën defensive të skuadrës angleze e shfrytëzoi Lionel Messi për ta shënuar golin e shumëpritur nga tifozët në Camp Nou (67’) që njëherësh edhe shoi shpresat e mysafirëve për t’u kualifikuar në çerekfinale.
Ky ishte goli i 67-të i argjentinasit në Ligën e Kampionëve dhe në këtë mënyrë e ka kaluar Raulin me golat e shënuar për një klub në garën prestigjioze (legjenda madrilene ka shënuar 66 gola në Ligën e Kampionëve vetëm me Real Madridin, por i ka realizuar edhe pesë të tjerë me Schalken dhe mbetet golashënuesi më i mirë në histori të kësaj gare me 71 gola).
Fundi i ndeshjes u tensionua paksa, pasi lojtarët e Cityt kërkuan penalti për një ndërhyrje në Dzekon dhe për shkak të protestave, Pablo Zabaleta u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë (78’).
Megjithatë, lojtarët mysafirë arritën që të largoheshin të pamposhtur nga Camp Nou duke shënuar me anë të Vincent Kompany (89’).
Mirëpo, për fitoren e Barcelonës u përkujdes Dani Alves në minutat shtesë (90’+1). Andres Iniesta ishte asistues.
Formacioni startues i Barcelonës (4-3-1-2): Valdes; Dani Alves, Pique, Mascherano, Alba; Busquets, Iniesta, Xavi; Fabregas; Neymar, Messi.
Banka rezervë: Pinto, Pedro, Alexis, Bartra, Song, Adriano, Sergi Roberto.
Formacioni startues i Manchester Cityt (4-2-3-1): Hart; Zabaleta, Kompany, Lescott, Kolarov; Fernandinho, Milner; David Silva, Yaya Toure, Nasri; Aguero.
Banka rezervë: Pantilimon, Negredo, Dzeko, Javi Garcia, Jesus Navas, Clichy, Boyata.