Kalo te lënda

Një Këshill, sa për sy e faqe

fotoNga: Vjosa Osmani – Sadriu

“It is not enough to be united in condemnation of it, unless we are united in action against it.” – William Hague

Kur Sekretari i Jashtëm britanik William Hague themeloi iniciativën për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte, ai përmendi atë që është esenciale në mënyrë që një iniciativë e tillë globale të ketë sukses. “Nuk mjafton të jemi të bashkuar në dënimin e dhunës seksuale, nëse nuk jemi të bashkuar me vepra kundër saj”.  Pra ‘vepra’ apo aksioni konkret për të parandaluar, luftuar dhe dënuar dhunimin si një ndër aktet më të tmerrshme që po përdoren si mjet dhe taktikë e luftës është kyçe. Fjalët nëpërmjet të cilave thjeshtë janë dënuar akte të tilla gjithmonë kanë qenë të bollshme, e madje të tepruara, por janë veprat ato që kanë munguar, dhe jo vetëm në Kosovë. Ka kaluar kohë e gjatë që kur amendamentet në Ligjin për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të UCK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës, u shqyrtuan në Kuvendin e Kosovës. Këto amendamente kishin për qëllim që viktimat e dhunës seksuale t’i përfshinin në definicionin e viktimave civile, në mënyrë që edhe ato të përfitonin nga mbrojtja shtetërore. Këto amendamente lëre që duhej të përkraheshin, por ishte turp që ato nuk ishin përfshirë në fazë shumë më të hershme, duke e bërë kështu Kosovën si shtet të vetëm që nuk i pranon viktimat e dhunës seksuale si viktima civile të luftës, status ky që u njihet edhe me Konventat e Gjenevës (që janë të aplikueshme në Kosovë), por edhe me akte të tjera të të drejtës ndërkombëtare. Ajo çka ndodhi në atë seancë ishte e turpshme. Deputetë të shumtë, kryesisht meshkuj por në mesin e tyre kishte edhe femra, fyen me fjalë të rënda gratë e dhunuara gjatë luftës dhe dhanë argumente qesharake se pse nuk do duhej që kjo kategori të përfshihej në këtë ligj. Në fund, siç u prit, disa deputetë edhe votuan kundër amendamenteve, por ato megjithatë kaluan në lexim të parë, me një dallim shumë të vogël votash. Pas kësaj seance të turpshme, reaguan përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile e mediave, por nuk u dëgjua në asnjë moment zëri i Presidentes së vendit, që sipas kushtetutës duhet të përfaqësojë unitetin shtetëror dhe të mbrojë interesat e të gjithë qytetarëve. Qysh atëherë, ligji ende po bllokohet nëpër komisionet e Kuvendit, me arsyetimin se nuk paska buxhet për gratë e dhunuara dhe se nuk dihet numri i saktë i tyre. Për fat të keq, ky argument u përdor vetëm për gratë e dhunuara, sepse mosnjohja e numrit të saktë të një kategorie të caktuar, asnjëherë s’i ndali as Qeverinë e as deputetët kundërshtues që t’ju njohin privilegjet pjesëtarëve të këtyre kategorive të tjera. Përsëri, nuk u dëgjua Presidentja e as ndonjë thirrje nga ana e saj që ky ligj të mos bllokohet.

Kaluan shumë muaj dhe ligji me amendamente ende ngelë në komisionet e Kuvendit. Por para pak ditësh, u formua “Këshilli Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës” nga ana e Presidentes së Kosovës. Nga fjalimi i znj. Jahjaga nuk është e qartë se cili do të jetë qëllimi i këtij Këshilli dhe cilat janë veprimet konkrete që do të ndërmerren në mënyrë që viktimat e dhunës seksuale të mbrohen apo të fitojnë statusin e kategorisë së mbrojtur me ligj. Përkundrazi, ajo çka dëgjuam ishin fjalë të shumta që dënojnë akte të tilla, por asgjë konkrete që do të ndërmerret. Ky Këshill ndoshta do të mirëpritej sikur të kishin pasur sadopak sukses Këshillat e tjerë të themeluar nga znj. Jahjaga. Por që të dy (Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian dhe Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsion) janë një dështim total. I pari nuk ka luajtur asnjë rol në arritjen e konsensusit nacional në integrime, dhe as në plotësimin e kritereve në këtë proces, ndërkaq për të dytin as nuk ja vlen të flitet gjatë meqë të gjithë e dijmë se sa shumë ‘sukses’ është shënuar në luftën kundër korrupsionit. Dështimi i këtyre këshillave u konfirmua edhe në Raportet e fundit të Progresit. Do të ishte shumë më e arsyeshme sikur buxheti (sado modest) që shpenzohet për këtë Këshill të ndahej për viktimat e dhunës seksuale, buxhet ky që sipas Qeverisë po mungon dhe është arsyeja kryesore pse ligji po bllokohet në Kuvend. Do të ishte shumë më dinjitoze dhe e arsyeshme që të kalohej ligji që tashmë është në Kuvend në vend se ministrat që merrnin pjesë në takimin e Këshillit të Presidentes të flisnin për iniciativa për të hartuar ligje të reja. Të gjitha këto janë vetëm për të shtyrë këtë proces pakufi, përderisa viktimat e dhunës seksuale do të vazhdojnë të mbesin të pambrojtura e të stigmatizuara. Funksioni i këtij Këshilli do të jetë i njëjtë me atë të këshillave të tjerë që u formuan nga znj. Jahjaga. Ashtu siç e tha shumë qartë një pjesëtar i shoqërisë civile në takimin e fundit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit: ‘Ky Këshill është vetëm sa për sy e faqe, dhe i shërben të pranishmëve, thjeshtë si një mundësi për të dalë në televizion”. Dhe përderisa do të vazhdojnë këto shfaqje televizive, që do të zëvendësojnë veprat konkrete që ka nevoje të ndërmerren, viktimat e dhunës seksuale do të vazhdojnë të vuajnë në heshtje, pa u siguruar mbrojtjen që u takon dhe që e meritojnë.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)

Lini një koment