Kalo te lënda

Komunat veriore me statute sipas Rezolutës 1244

fotoGFQ8BZ2PPërfaqësuesit e zgjedhur nga katër komunat veriore të Kosovës kanë paralajmëruar se do të mblidhen të mërkurën (sot) për të vendosur për statutet dhe simbolet e komunave.

Mbledhjet me të njëjtat qëllime i kanë thirrur kuvendet komunale të Mitrovicës veriore, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Bazuar edhe në Marrëveshjen e Brukselit të arritur në dialogun Prishtinë–Beograd, komunat veriore i kanë dorëzuar statutet dhe simbolet e propozuara edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në Prishtinë.

Përmes zëdhënëses Lumnije Demi, kjo ministri ka konfirmuar se tashmë është e njoftuar për mbledhjet e datës 12 mars të kuvendeve nga komunat veriore.

“Lidhur me përmbajtjen e Statuteve të Komunave, vlerësimi i ligjshmërisë bëhet nga MAPL pas aprovimit nga Kuvendi i Komunës”, ka thënë Demi. Ajo ka nënvizuar po ashtu se statuti miratohet nga komuna dhe se tani nuk mund të paragjykohet paraprakisht.

“Por në rast se Statuti i Komunës nuk është në pajtim me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, atëherë MAPL bazuar në nenin 82.1 të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale kërkon nga komuna rishqyrtimin dhe harmonizimin e Statutit me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës”, ka sqaruar Demi.

Lini një koment