Ernest Luma kërkon falje publike
Zëdhënsi i AAK-së Ernest Luma, u ka kërkuar falje opinionit publik portalit Indeksonline, dhe të gjithë përfaqësuesve të mediave për gjuhën e përdorur dje ndaj portalit Indeksonline. Ai përmes një letre publike ka pranuar se gjuha e përdorur dje në e-mailin e dërguar ishte e ngutshme dhe e pazgjedhur.
Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të zëdhënsit të AAK-së drejtuar opnionit publik.
I kërkoj publikisht falje opinionit publik, kolegëve të medias, portalit Indeksonline dhe të gjithë atyre që kanë parë gjuhën e përdoru në reagimin tim të djeshëm, personal, të përcjellur në e-mail adresën e portalit Indeksonline, ndaj artikullit të këtij portali “Kush janë pronarët e AAK-së?”!
Personalisht mendoj se gjuha e përdorur në atë e-mail të brendshëm, të cilin portal Indeksonline e nxori në publik, nuk ka qenë gjuha e qëlluar, nuk ka qenë gjuha që është dashur të përdoret nga unë, dhe për këtë ndjej keqardhje.
Por, në ansnjë mënyrë, kërkimfalja për gjuhën e përdorur nga unë, nuk i justifikon shpifjet e artikullit të fjalë, spekulimet, të pavërtetat dhe të gjitha etiketimet që në artikullin në fjalë i ka përdorur në adresë të AAK-së dhe të lidershipit të AAK-së portali në fjalë.
Qëndroj prapa asaj se për të vërtetën, fjalën, qëndrimin dhe deklarimin publik, duhet të jemi të gjithë përgjegjës dhe të përgjegjshëm, të kemi kurajon t’i pranojmë hapur gabimet (që janë njerëzore), dhe t’i korrigjojmë edhe qajset në profesion dhe si media, qasjet e pavërteta, etiketuese, linçuese dhe qëllimkëqija, në adresë të subjekteve dhe personave publikë, në këtë rast të politikës.
Do të doja që edhe portali Indeksonline, dhe të gjitha ata që merren me fjalën publike, mediat veçanërisht, të gjejnë kurajon dhe të reflektojë në këtë.
Njëkohësisht, iu kërkoj falje dhe mirëkuptim të gjithë kolegëve, strukturave dhe elektoratit të AAK-së, për gjuhën ndoshta të ngutshme dhe të pazgjedhur në relacion me redaksinë e portalit në fjalë.
Bashkëpunimi im me gazetarët ka qenë kurdoherë i mirë dhe në raporte të afërta profesionale dhe njerëzore. Vetë vij nga bota e mediave dhe mendoj që secili duhet të angazhohemi për lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes, guximin profesional dhe median e lirë, si parakusht i demokracisë.
Por, askush nuk ka të drejtë të deformojë shoqërinë dhe demokracinë në vendin tonë, qoftë duke përdorur gjuhën e pazgjedhur publikisht, siç kam bërë pa qëllim unë dje, qoftë duke shpifur, etiketuar dhe njollosur personalitete e parti politike, siç ka bërë portali Indeksonline në artikullin në fjalë (apo siç është bërë shpesh në mediat tona), me qëllim denigrimin e subjekteve apo njerëzve të caktuar. Mediat dhe gazetarët nuk duhet të jenë mashë e akujt, për qëllime të papastra dhe tendenca të luftimit politik. Shpresoj të reflektojmë të gjithë ndaj të vërtetës dhe besueshmërisë në opinion publik.
Ernest Luma, Zëdhënës i Aaleancës për Ardhmërinë e Kosovës