Kalo te lënda

Shatri: Thaçi shkeli Kuvendin me vendimin për rritje të pagave

foto0MJCVRPFIsh ministri i Financave Haki Shatri ka kritikuar qeverinë se anashkaloi Kuvendin kur ekzekutivi kosovar mori vendim për rritje pagash.

Shatri gjatë debatit në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, deklaroi se detyrim i qeverisë është ta miratojë në Kuvend ndryshimin e parametrave të buxhetit.

“Procedura është që qeveria duhet të merr vendim, por ky vendim duhet të kalojë në Kuvend. Pa marrë parasysh çfarëdo ndryshimi, sepse po ndryshohen parametrat e buxhetit, qofshin të shpenzimeve apo të hyrave. Gjithçka mund të ndodhë në këtë Kosovë tonë, por ndryshimi i buxhetit duhet të kalojë në Kuvend. Pa u miratu në Kuvend është i paligjshëm”, theksoi Shatri.

Anëtari i kryesisë së AAK-së ka thënë se nuk është kundër rritjes së pagave, por kundër formës se si po bëhet ajo.

“Jemi kundër manipulimit dhe përfitimit në momente të caktuara me rritje të pagave nga fondet publike për interesa grupore ose partiake. Në kuadër të kësaj optike është vendimi i fundit. Qytetari ka ardh në pozitë aq të rëndë, sa që edhe me i thënë i ke 5 cent më shumë, ai thotë evalla”, tha ai.

Rritjen e pagave e sheh pjesë të fushatës politike edhe kryeredaktori i revistës “Ekonomia”, Ibrahim Rexhepi.

“Vetë kryeministri këtë qëllim e ka proklamuar qysh gjatë fushatës të zgjedhjeve lokale. Pse duhet të thuhet gjatë fushatës, kur rritja mund të jetë shumë më normale. Unë kisha instituar që çdo vit me miratimin e buxhetit të parashihet edhe rritja e pagave”, pohoi ekonomisti kosovar.

Rexhepi i cili tha se vendimi i ri i ekzekutivit mund të shkaktojë një disbalanc ndërmjet pagave dhe investimeve.

“Do të vijmë në situatë kur pagat do të jenë shumë më të mëdha sesa investimet. Në kohë kur ka rritje rreth 3 për qind, qeveria rritë pagat për 25 për qind. Mos harroni edhe presionin që po bëhet ndaj sektorit privat. I kemi 78 mijë veta aktualisht në pyetje. Çfarë të bëjmë edhe me 250 mijë të tjerë. A mund ta përballojnë ata këtë presion”, konstatoi Rexhepi.

Një rrezik tjetër sipas Rexhepit është që kjo rritje të shkrihet menjëherë nga goditja inflatore që mund të paraqitet në treg.

Lini një koment