Rritet niveli i ujit në Badovc e Batllavë
Gjendja me ujë në liqenin e Badovcit pritet të përmirësohet brenda 10 ditësh, ndërkohë që nga të reshurat e fundit, niveli në Liqenin e Batllavës ka shënuar një ngritje prej katër centimetra. Zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal Prishtina apelojnë tek qytetarët për kursim maksimal të ujit, duke kontribuar në përmirësim të gjendjes.
Liqeni i Badovcit pritet që brenda dhjetë ditësh të fillojë të mbushet me ujë nga liqeni i Ujmanit, nëpërmjet kanalit të Ibër Lepencit.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Arjeta Mjeku tha për Radio Kosovën, se kjo do të zbus sadopak gjendjen me ujë në kryeqytet. “Fillimi i dërgimit të ujit në Liqenin e Badovcit nuk do të thotë se qytetari i Prishtinë të ketë ujë 24 orë pa ndërprerë, mbushja e Liqenit të Badovcit nga kanali i Ibrit, do të thotë që të zbutet sadopak furnizimi me ujë të pijshëm, ta mbajmë këtë tempo të orarit të reduktimeve sepse kapaciteti i pompave do të jetë 400 litra për sekondë dhe një sasi të përafërt ne e përpunojmë”, tha Mjeku.
Ndërkaq, të reshurat e fundit sipas zëdhënëses Mjeku, kanë ndikuar në ngritjen e nivelit të ujit në liqenin e Batllavës për katër centimetra. Ajo thotë se të reshurat mund të ndikojë në dy liqenet në përmirësimin e gjendjes, ndërkohë, potencon faktin se në sezonin veror shpenzimet e ujit janë më të mëdha, raporton RTK Radio.
Deri më tash Ujësjellësi Rajonal Prishtina ka hapur e rifunskionalizuar dy puse në fshatin Llukar kur furnizohen me ujë të pijshëm banorët e këtij fshati dhe Makovcit, si dhe ka hapur 5 puse të reja në rajonin e Gërmisë ku së shpejti pritet rifunksionalizimi i tyre për furnizim.