Ramadani: Pacolli, mashtrues tipik
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli.
I pyetur nga Telegrafi rreth deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, se e AKR-ja nuk është pjesë në kalkulimeve të tij për formimin e qeverisë, Pacolli ka thënë: “Jemi të interesuar të bashkëpunojmë me njerëz të sinqertë që kanë qëllime fisnike për ndërtimin e shtetit, jo me ata që shantazhojnë bizneset”.
Ramadani, në profilin e tij në Facebook ka shkruar: “Pacolli është një mashtrues tipik, prandaj çfarëdo deklarate e tij nuk vlen as të komentohet”.
Sipas tij, një njeri dhe një parti që për tri vjet e kanë zhvatur Kosovën, nuk meriton as të garojë më tutje në zgjedhje në Kosovë. Ai këto komente i bëri në rrjetin social Facebook.
“Pacolli dhe bashkëpartiakët e tij janë pjesë e kësaj qeverie të keqe, të cilët kanë qenë dora e djathtë e Kryeministrit Thaçi për të zhvatur Kosovën. Pacolli dhe bashkëpartiakët e tij lidhen fort me skandalet e kësaj qeverie, si në rastin e ‘Sharrcem’-it, ‘Grand’-it, ‘Pallatin e Mediave’ e plotë të tjera”, ka shkruar Ramadani. /Telegrafi/