Komunitetet e diskriminuara
Pavarësisht se Kosova qëndron mirë me ligjet kundër diskriminimit racor, mbetet shqetësuese situata nëpër të cilën po kalojnë komunitet Romë, Ashkali, Egjiptas (RAE).
Diskriminimi i tyre ka të bëjë me të gjitha fushat e jetës. Në veçanti, janë gratë e këtyre komuniteteve janë ato që e pësojnë më së shumti.
Integrimi, punësimi dhe arsimimi, janë ngecjet më të mëdha. Ndërsa, në vesh të shurdhër të qeverisë dhe institucioneve të vendit kanë mbetur kërkesat që janë bërë nga përfaqësues të tyre.
Edhe në aspektin ekonomik, këta mbesin më të margjinalizuarit.
Zyrtarë të BE-së i kanë thënë Kosovapressit se përkundër përpjekjeve të Qeverisë për integrimin e komuniteteve RAE, vazhdojnë të ekzistojnë sfidat në shumë fusha.
“Shumë pjesëtarë janë ende të goditur nga varfëria e skajshme dhe diskriminimi. Përkundër përpjekjeve të Qeverisë për të zbatuar Strategjinë e saj për integrimin e komunitetit RAE, sfidat që kanë të bëjnë me arsimin, punësimin, shëndetësinë, strehimin dhe të drejtat kulturore, vazhdojnë të ekzistojnë. Zbatimi dhe monitorimit i gjerë i këtyre akteve procedural dhe legjislative do të siguronte integrimin e plotë dhe të qëndrueshëm të këtyre komuniteteve”, thotë Fjolla Ceku, zyrtare e lart për informim në zyrën e BE-së.
Xhevdet Neziraj, deputet nga grupi parlamentar AAK dhe përfaqësues i komunitetit egjiptian, ka thënë për Kosovapress se komuniteti i tyre është integruar në shkolla, fakultete dhe institucione, bashkërisht me shqiptarët. Mirëpo, ajo që e shqetëson është papunësia e madhe.
Ai beson se mbi 90 për qind të komunitetit egjiptian janë të papunë. Kjo papunësi, sipas tij, është alarmante sidomos tek gratë.
Neziraj thotë se institucionet e vendit, kuotën e komuniteteve e arrijnë duke i përfshirë më shumë pjesëtarët serbë, turq e boshnjakë duke i anashkaluar komunitetet e tjera, siç janë RAE.
“Përfaqësuesit e këtij komuniteti kanë arritur t`i regjistrojnë studentët në universitete dhe nxënësit në shkolla të mesme. Megjithatë, se në momentin kur dalin në tregun e punës, ata mbesin të dëshpëruar pasi nuk arrijnë të punësohen. Pesimizmi i tyre për çdo ditë është në rritje”, thotë ai.
Avokati i popullit, Sami Kurteshi, vlerëson se ky komunitet është grupi më i margjinalizuar. Ndërsa, shton se edhe pse nuk ka dhunë të organizuar ndaj këtij komuniteti, vet varfëria sjellë dhunën.
“Në qoftë se varfëria në Kosovë relativisht është e madhe, te këta sigurisht është dyfish më e madhe. Margjinalizimi i tyre ka të bëjë më gjitha fushat e jetës. Nuk ka ndonjë dhunë të organizuar, por populli thotë një fjalë: fukarallëku është maskarallëk. Varfëria sjellë edhe dhunën, sjellë edhe dukuri tjera që janë të dënueshme me ligj”, thotë Kurteshi.
Ndër ato pak respektime që u bëhen këtij komuniteti, është liria e lëvizjes.
Behgjet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), thekson se shoqëria u ka mbetur borxh pjesëtarëve RAE.
“Gratë e këtij komuniteti janë kategoria që më së shumti u shkelen të drejtat e njeriut. Punët që ato kryejnë janë punë të cilat shoqëria jonë nuk do t`i kryente”, thotë ai. “Një numër i tyre nuk kanë mbaruar farë shkollën, martohen herët me martesa të detyrueshme, lindin herët dhe shumë fëmijë, ndërsa kanë problem ta sigurojnë ekzistencën e tyre”, ka thënë ai.
Shala tregon se KMLDNJ ka kërkuar që të ketë më shumë nga ky komunitet të përfshirë në FSK, tek zjarrfikësit, te disa shërbime ku duke punuar mund të mbarojnë kurse apo shkolla. Mirëpo, kjo nuk është marr shumë parasysh!
Ndryshe, komuniteti romë ka probleme edhe sa i përket arsimimit, pasi nuk kanë tekste në gjuhën rome. Ndërsa, ashkalitë dhe egjiptianët e kanë më lehtë meqë flasin shqip. /Kosovapress/Telegrafi/