Demaku: NISMA e Limajt dhe Krasniqit, aleat natyror i PDK-së
Koalicioni i parë qeverisës që duhet të bëhet pas zgjedhjeve të sivjetmë është ai në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës së Fatmir Limës e Jakup Krasniqit. Ky do të ishte një koalicion natyror. Kështu mendon Nexhat Demaku, kryetari i degës së PDK-së në Drenas, i cili njëherësh është edhe kryetar i kësaj komune.
Në një intervistë për Gazetën Blic, ndryshe nga shumë bashkëpartiak të tij, Demaku nuk ka bërë kritika në adresë të Limajt e Krasniqit, por ka thënë së këto dy subjekte politike tani duhet të fokusohen për të fituar më shumë elektorat nga ai që e kishin të përbashkët brenda një subjekti politik.
“Mendoj që Limaj e Krasniqi kanë bërë mirë që kanë krijuar parti. Kjo për shkak së ata kanë menduar ndryshe dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Është krejtësisht demokratike dhe e drejtë e tyre të përcaktohen në rrugën e tyre politike”, ka potencuar Demaku.
Por, sipas tij është gabim i madh nëse PDK-ja dhe Nisma tani fillojnë të përplasën për elektoratin e PDK-së.
“Elektorati i PDK-së duhet të lihet i lirë që të zgjedh vetë së për kënd duhet të votoj. Kurse të dyja subjektet duhet të synojnë votues të tjerë. Po mendoj të përfitojnë atë elektorat që mund të jetë i pakënaqur me partitë tjera, si dhe fokusi kryesor të përqendrohet tek 40% e elektoratit i cili nuk ka dalë në zgjedhje”, thotë Demaku.
Sipas tij, Nisma do të jetë një parti e cila mund të fitoj një përqindje të mirë në zgjedhjet e përgjithshme.
Ndërsa i pyetur për takimin që kryetari i partisë, Hashim Thaçin kishte me kryetarët e degëve, Demaku thotë së nuk ka qenë i pranishëm por sipas tij ky takim ka pasur vetëm karakter informues.
Ai ka thënë së me rendësi është që zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen këtë vit mos ta prishin imazhin qe e kemi krijuar nga zgjedhjet e fundit lokale.
“Kjo duhet të jetë e rëndësishme për të gjithë dhe ne si degë e PDK-së për këtë do punojmë maksimalisht në komunën tonë”, ka pohuar Demaku. /Gazeta Blic/