Abdixhiku: Rritja e pagave, simbolike dhe artificiale
Vendimin e sotëm të kryeministrit Thaçi, për rritjen e pagave për 25 për qind, eksperti i çështjeve ekonomike dhe analisti, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të paqëndrueshme, simbolike dhe artificiale.
“ Inflacioni mesatar në Kosovë përgjatë katër viteve të shkuara ka qenë rreth 20%. Prandaj mirë që u rritën pagat e 82.000 kosovarë në sektorin publik për 25%. Edhe pse rritje e paqëndrueshme, simbolike dhe para së gjithash artificiale, ajo amortizon sadopak – për ta – rritjet enorme të çmimeve në katër vitet e shkuara”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook.
“Për të pas njëmend festë në vend, do të duhej të krijoheshin vende pune edhe për 700.000 kosovarë të tjerë të papunë; e kushte më të mira pune për 270.000 të tjerë në sektorin privat – pra 90% tjetër – gjithmonë nëpërmjet krijimit të ambientit të shëndoshë ekonomik në vend. Për të pasur njëmend festë kishte qenë mirë që gjatë katër viteve të shkuara të kishte shëndetësi që na shëron, gjyqësor që na largon kriminelët nga rrugët, arsim që na shkollon rininë, e shtet që na dërgon të gjithëve në Evrope. Një simbolikë nuk shpërlanë gjithë të zezat e shkuara; kosovarët megjithatë janë më të mençur se kaq”, ka shkruar Abdixhiku.