Nëna që vrau tri vajzat: Shmanga të ardhmen e tyre të dëshpëruar (Video)
(E plotësuar) “I vrava unë për të shmangur të ardhmen e dëshpëruar që i priste përpara”. Kështu u tha karabinierëve 38-vjeçarja shqiptare Edlira Dobrushi, e cila vrau mëngjesin e sotëm me thikën e kuzhinës tre vajzat e saj të mitura, Sidnin 3 vjeç, Kesin 10-vjeçare dhe vajzën më të madhe Simonën, vetëm 13 vjeç.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e tyre, në periferi të Lecco-s në Itali. Autoritetet italiane u njoftuan për krimin nga fqinjët e familjes shqiptare, të cilët kishin dëgjuar thirrjet e vajzave për ndihmë, teksa përpiqeshin t’i shmangeshin përpjekjeve të nënës së tyre për t’i qëlluar me thikë.
Kur mbërritën në apartamentin e vogël ku jetonte gruaja e divorcuar, karabinierët u përballën me një skenë horror, pasi gjithçka ishte mbuluar në gjak, ndërsa 38-vjeçarja, me plagë në duar e qafë, në gjendje shoku, ishte shtrirë përpara portës së banesës.
Ndërkohë vajzat e mitura u gjetën pajetë në një krevat, ku i kishte vendosur gruaja, pasi kishte kryer krimin.
Sipas mediave në Itali, babai i vogëlusheve, Bashkim Dobrushi ishte nisur një ditë më parë për në Shqipëri. Ai u njoftua për ngjarjen e rëndë nga policia shqiptare, sapo zbriti nga trageti në portin e Durrësit. Çifti ishte divorcuar formalisht që në muajin shtator, ndërsa ligjërisht kishin firmosur ndarjen në muajin shkurt.
Bashkim Dobrushi jetonte prej 15 vitesh në shtetin fqinj, ku punonte në një ndërmarrje metalesh dhe u kishte rrëfyer kolegëve se ishte divorcuar nga e shoqja, për shkak të krizave të depresionit që ajo kishte shfaqur kohët e fundit.
Bashkim Dobrushi kishte kërkuar dy javë leje për të vizituar nënën e tij në Kukës, të cilës do t’i shpjegonte arsyet e ndarjes nga e Edlira. /BW/
Itali, tragjedi në familjen shqiptare, vriten 3 fëmijë me thikë, plagoset nëna e tyre
Një tragjedi ka ndodhur në një familje shqiptare në Itali. Tre fëmijë, të moshave 4, 11 dhe 14 vjeç janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Lecco të Italisë.
Nuk dihet ende se kush është autori i kësaj ngjarjeje të tmerrshme, por policia dyshon se mund të ketë qenë mamaja e tyre, ajo që i ka vrarë barbarisht fëmijët e saj me thikë dhe më pas ka tentuar të vrasë edhe veten.
Kanë qenë fqinjët ata të cilët kanë njoftuar policinë, e cila kur ka shkuar në vendngjarje ka gjetur trupat e pajetë të tre fëmijëve mbi krevat, si dhe nënën e tyre të plagosur rëndë. Kjo e fundit është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Mendohet se fëmijët janë vrarë në dhoma të ndryshme të banesës duke i ikur nënës, e cila më pas i kishte vënë në krevatet e tyre. Mediat italiane raportojnë se policia ka gjetur edhe një thikë të madhe kuzhine parni trupit të pajetë të fëmijëve, thikë me të cilën dyshohet që nëna të ketë vrarë fëmijët, megjithatë kjo mbetet për tu verifikuar.
Ende nuk dihet shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, por mendohet se janë kushtet e rënda ekonomike të familjes. Shqiptarja 37-vjeçare ishte e ndarë nga bashkëshorti prej disa kohësh, dhe jetonte vetëm me tre fëmijët e saj në Bergamo të Italisë.
Policia po përpiqet të kontaktojë me babanë e fëmijëve për të mësuar më tepër rreth jetës së tyre dhe të nënës së tyre, por është e vështirë të lidhet kontakti me të pasi ai ishte divorcuar që para shumë vitesh dhe nuk jetonte më me familjen. /Shekulli/